LDK ka refuzuar ftesën e VV-së për koalicion qeverisës.Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i tha “Jo” ftesës së kreut të VV-së, Albin Kurti, në letrën e dërguar dje nga ai.
Abdixhiku i ktheu letrën Kurtit, duke i thënë se duhet të bëhet një qeveri e tranzicionit.Lidhur me këtë, deputetja e Guxo, Jeta Statovci, në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se LDK është përgjigjur me kundër ofertë për protagonizëm.
Sipas saj, LDK do që ta paraqes gjendjen si të jashtëzakonshme, që nuk qëndron.“LDK, ofertës për stabilitet i përgjigjet me një kundërofertë për protagonizëm. Propozimi i tyre për konsideratën time është një propozim jo i arsyeshëm. Ata po duan ta paraqesin gjendjen si të jashtëzakonshme, pra edhe në letrën e Lumir Abdixhikut vërehet kjo tendencë, gjë që natyrisht nuk është e vërtetë”, u shpreh ajo.
Sipas saj, Kurti tentoi të gjejë zgjidhje afatgjate dhe stabile me një elektorat më të përafërt, por që LDK nuk shquhet për lidhje të forta me elektoratin e saj.“Besoj që Kryeministri Albin Kurti, kreu një akt politik të mirë duke tentuar të gjejë një zgjidhje afatgjate dhe stabile për Republikën në 4-5 vitet e ardhshme, duke u bazuar edhe në një elektorat i cili është më i përafërt, por siç dihet edhe nga e kaluara, LDK nuk është se shquhet për lidhje të forta me elektoratin e saj”, ka vlerësuar deputetja për Gazeta Blic.
Statovci thekson se refuzimi i LDK-së është shantazh i procesit dhe se Kosova s’ka luks që për inate e interesa të ngushta të disa individëve, të mos vazhdojë qeverisjen e vendit.
“Duhet të vazhdohet të kërkohet zgjidhja e duhur, Kosova nuk ka luksin që për inate e interesa të ngushta të disa individëve, të mos vazhdojë qeverisjen e vendit. Kushtetuta jonë imponon bashkëpunim të forcave politike, ajo që bëri LDK në konsideratën time, është refuzim i bashkëpunimit, shantazh i procesit, keq-lexim i rezultatit të zgjedhjeve dhe një mungesë pavarësie politike, apo mungesë guximi që është akoma më keq”, ka deklaruar Jeta Statovci