Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me këshilltarët komunalë të LDK-së, tentoi të ndryshojë rendin e ditës në mbledhjen e katërt të Kuvendit Komunal, por në vend të përballjes me situatën, vendosi t’i ikë përgjegjësisë.
Rama e braktisi mbledhjen me arsyetimin se nuk u aprovua kërkesa e tij që pika e 14-të e rendit të ditës – “Propozim–vendimi për hartimin e planit të hollësishëm rregullues në Çagllavicë” – të zhvendosej si pika e parë e rendit të ditës.
Sipas tij, Komiteti për Politikë dhe Financa, i përbërë nga asamblistë të subjekteve të ndryshme politike në kuvend, e kishte vendosur këtë propozim si pikë të 14-të. Ndërkohë, shefja e asamblistëve të LDK-së, Jeta Rafuna, deklaroi se kjo pikë është dashur të vihej në fillim, ashtu siç kishte kërkuar – sipas saj – kryetari Rama.
“Përparim Rama nuk mund të vendosë vetë për renditjen e temave që do të diskutohen në kuvend. Ai nuk mund të kushtëzojë kalimin e propozimeve të tjera me këtë pikë. Kryetari ka halle të tjera. Ai e ka mendjen te 70 hektarët në Çagllavicë. Ka ngut ta ngjisë sa më lart në rend dite, sepse aty janë interesat e tij. Aty janë premtimet që u ka dhënë biznesmenëve për koeficientë ndërtimi. Ka borxhe për të larë – jo ndaj qytetarëve, por ndaj atyre që ia financuan ‘rrugëtimin ndërtimor’,” deklaroi këshilltari komunal i PDK-së, Leutrim Retkoceri.