Shkruan: Rozetë Telaku
Sot, Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar një letër drejt LDK-së, duke ftuar në takim liderin Lumir Abdixhiku për të diskutuar një bashkëpunim të mundshëm.
Në sipërfaqe, kjo duket si një përpjekje për maturi politike. Por përtej fjalëve të buta fshihet një logjikë e njohur: presioni mbi VV-në po rritet, ndërsa kërkohet shpëtim përmes një aleance me partinë që deri dje e denonconte si “pjesë të së kaluarës”.
LDK nuk duhet ta pranojë këtë ftesë për disa arsye të qarta dhe të argumentuara:
Historia nuk duhet përsëritur.
Qeveria e përbashkët LVV–LDK në vitin 2020 dështoi me shpejtësi për shkak të mungesës së besimit. Askush nuk garanton se këtë herë do të ishte ndryshe.
Fyerjet nuk harrohen me një letër.
LDK është denigruar publikisht nga Vetëvendosja me vite. Nga akuzat për korrupsion e deri te ofendimet në nivel personal, VV ka ndërtuar kapital politik mbi diskreditimin e LDK-së. Tani kërkon bashkëpunim?
Nuk ka asnjë ofertë të qartë.
Letra është simbolike, pa vizion programor, pa ndarje përgjegjësish. Është thjesht një manovër për të fituar kohë në një moment të vështirë politik.
Opozita është pozicion, jo dështim.
LDK, si një nga partitë më të vjetra në vend, ka mundësinë të forcojë profilin e saj opozitar dhe të përgatitet për zgjedhje të reja. Nuk ka nevojë të hyjë në aventura të pasigurta politike që vetëm sa mund ta dobësojnë.
Pranimi i kësaj ftese dërgon mesazhin e gabuar.
Kjo nuk është një dorë e zgjatur për pajtim, por një tentativë për të mbuluar dobësitë momentale të qeverisë. LDK duhet të refuzojë me dinjitet, jo nga inati, por nga parimi: pa vizion, nuk ka bashkëpunim. Dhe pa ndershmëri politike, nuk ka rilidhje mes partive që dikur u ndanë pikërisht për shkak të mungesës së saj./GazetaPapirus/