Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për konfirmimin e aktakuzës ndaj Metush Birajt, Shkodran Pulajt dhe Naim Osmanit.
Në këtë rast, ish-prokurori Metush Biraj akuzohet për “Marrje ryshfeti”, kurse Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani ngarkohen për “Dhënie ryshfeti”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktakuza ndaj ish-prokurorit Biraj dhe dy të tjerëve u ngrit më 4 mars 2024, pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” publikuar më 2 dhjetor 2023 me titull “Si ish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë”,. ku prokurori Biraj dyshohej se kishte marrë ryshfet rreth 5 mijë euro, për të tërhequr kërkesën për paraburgim të të arrestuarve Naim Osmani, Ukë Sadrijaj dhe Arbër Salihu, ndërsa rreth 20 mijë euro për dështim të rastit, përkatësisht tërheqjes nga aktakuza.
Fillimisht, ankesë ndaj vendimit të Themelores kanë paraqitur mbrojtësi i Birajt, avokati Reshat Millaku, mbrojtësi i Osmanit, avokati Teki Bokshi, si dhe ai i Pulajt, avokati Faton Fetahu.
Por, Apeli përmes vendimit të 22 prillit 2025, ka gjetur se ankesat janë të pabazuara.
Gjetjet e Gjykatës së Apelit:
Sipas vlerësimit të Apelit, aktakuza ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për çka edhe po ngarkohen.
Shkalla e dytë thekson se nuk ekzistojnë argumente bindëse të cilat do të ndikonin që aktakuza të hudhej poshtë ashtu siç kërkohet me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Gjithnjë sipas vendimit të Apelit, Themelorja ka dhënë arsye bindëse dhe se drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme në aspektin procedural ligjor dhe se nga veprimet e tani të akuzuarve ekzistojnë elementet qenësore të veprave penale.
Apeli ka konstatuar gjithashtu se provat e siguruara në këtë proces penal janë marrë në mënyrë të ligjshme dhe në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi.
Të pabazuar, Apeli e ka gjetur pretendimin e avokatit Millaku se kontrollet e shtëpisë, objekteve dhe kontrollet personale janë kryer në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Kjo pasi që sipas Apelit, ka ekzistuar urdhri gojor nga gjykatësi i procedurës paraprake e i cili urdhër është konfirmuar në mënyrë retroaktive dhe se si pretendim kjo Gjykatë vlerëson se është i paqëndrueshëm.
Po ashtu, edhe pretendimin e avokatit Fetahu sa i përket kontrollit dhe sekuestrimit të përkohshëm, Gjykata e Apelit e ka gjetur të pabazuar, kjo pasi që është dhënë urdhri verbal për kontroll dhe nuk del të jetë i kundërligjshëm si urdhër-kontroll.
Gjithnjë sipas këtij vendimi, thuhet se mbrojtësve të të akuzuarve gjatë shqyrtimit gjyqësor do t’iu jepet mundësia që përmes pyetjeve në drejtim të dëshmitarëve dhe provave që do të administrohen t’i kundërshtojnë ato dhe më pas Gjykata të nxjerrë vlerësimin përfundimtar.
Pas këtij vendimi, Themelorja pritet që të caktojë seancë gjyqësore lidhur me këtë rast.
Tre të akuzuarit, në seancën fillestare më 16 tetor 2024 janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.
Aktakuza ndaj ish-prokurorit Biraj dhe dy të tjerëve u ngrit më 4 mars 2024, pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” publikuar më 2 dhjetor 2023 me titull “Si ish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë”,. ku prokurori Biraj dyshohej se kishte marrë ryshfet rreth 5 mijë euro, për të tërhequr kërkesën për paraburgim të të arrestuarve Naim Osmani, Ukë Sadrijaj dhe Arbër Salihu, ndërsa rreth 20 mijë euro për dështim të rastit, përkatësisht tërheqjes nga aktakuza.
Ndryshe, aktakuza për këtë çështje penale është ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan – Departamenti për Krime të Rënda. Për shkak se rasti ka të bëjë me një ish-prokuror të regjionit të Prizrenit, kjo çështje për gjykim ishte dërguar në Gjykatën Themelore në Gjilan, në Departamentin për Krime të Rënda. Mirëpo, Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Gjilan ka deleguar lëndën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e ky i fundit kishte hapur një konflikt lidhur me kompetencën lëndore të këtij rasti.
Por, Gjykata e Apelit ka vendosur se kompetent për zgjidhjen e kësaj çështje penale është Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas aktakuzës, Metush Biraj po akuzohet se në mes të muajve prill dhe korrik të vitit 2023, në Prizren, në cilësi të prokurorit të shtetit të Prokurorisë Themelore në Prizren, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejt pranon ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20 mijë eurove, për të vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që gjatë përfaqësimit në Gjykatën Themelore në Prizren, më 31 mars 2023, në këmbim të premtimit heq dorë nga ndjekja penale në mungesë të provave ndaj të akuzuarve: Naim Osmani, Ukë Sadria dhe Arbër Saliu, për shkak të veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, të KPRK-së.
Tutje, aktakuza thotë se Biraj këtë e ka bërë në bazë të premtimit të marrjes së të hollave siç rezulton nga lënda penale në Prizren kur arrestohet edhe tani i akuzuari Shkodran Pulaj për shkak të veprës penale ’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe sekuestrohet një telefon i tipit “Samsung A52”.
Sipas prokurorisë, gjatë ekzaminimit të këtij telefoni nga Drejtoria e Teknikës Kriminalistike në Prishtinë se ka rezultuar se prokurori Biraj ka biseduar nëpërmjet rrjeteve sociale “Viber” me të akuzuarin Pulaj si dhe i akuzuari Naim Osmani ka biseduar me Pulajn nëpërmjet rrjetit social “Whats App”, dhe nga CD dëgjohet duke komunikuar Pulaj dhe Biraj, e që nga bisedua e lartcekur kuptohet se janë premtuar të holla në këmbim të heqjes dorë nga ndjekja penale në rastin e lartcekur, e që këtë veprim Biraj e ndërmerr përkundër udhëzimeve nga ana e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren që të vazhdohet me ndjekjen penale.
Me këto veprime, Biraj ngarkohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 të KPRK-së.
Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, të akuzuarit Pulaj dhe Osmani akuzohen se në vend dhe kohë të përshkruar në dispozitivin e parë, të njëjtit me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë premtuar dhënien e ryshfetit për personin tjetër – tani të akuzuarin e parë Biraj, me qëllim që i njëjti, në cilësinë e prokurorit të shtetit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor te datës 31 mars 2023, të heq dorë nga aktakuza kundër të akuzuarve Naim Osmani, Ukë Sadria dhe Arbër Saliu, për shkak të veprës të sipërshënuar penale.
Me këto veprime, Pulaj dhe Osmanaj akuzohen se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit’’ nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
“Betimi për Drejtësi” më 2 dhjetor 2023 ka transmetuar hulumtimin se si ish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë. Aty ishte siguruar një video-dëshmi, ku zhvillohen biseda për të ndikuar në rastin e drogës, në mes ish-prokurorit Biraj dhe të dyshuarit Shkodran Pulaj.
Bazuar në aktakuzën e plotë të ngritur nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Isuf Sadiku, del të mos jetë marrë për bazë shuma e përmendur në video incizim prej 20 mijë euro.
Prokurori Sadiku ka ngritur akuzën duke u bazuar në paragrafin 1 të nenit 421 për “Marrje Ryshfeti” dhe 422 për “Dhënie Ryshfeti” të Kodit Penal të Kosovës. Këto paragrafe, një prej tyre parasheh dënim me gjobë dhe burgim nga 1 deri në 8 vjet burgim, kurse tjetri deri në 5 vjet. Derisa, paragrafët tre të këtyre dy neneve parashohin se në rastet kur kemi të bëjmë me marrjen, respektivisht dhënien e ryshfetit për shumën që tejkalon 15 mijë euro, sikurse në rastin e Birajt, atëherë dënimi shkon nga 5 deri në 15 vjet burgim për marrje ryshfeti e deri në 8 vjet burgim për dhënie të tij.