Një 82-vjeçar në fshatin Leshan të Suharekës ka vdekur si pasojë e djegies së veturës në të cilën gjendej ai.
Zëdhësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi i tha Gazetës Express se sot pasdite u njoftuan lidhur me rastin dhe se me të dalë në vendin e ngjarjes konstatuan veturën e djegur dhe burrin e pajetë brenda tij.
“Me datë 04/05/2025, rreth orë 14:24 një përson nëpërmes telefonit ka raportuar policin se në fshatin Leshan, Suharekë, te vendi i quajtur ’Tuma’ është duke u djegur një vetur dhe mbrenda veturës gjindet një person i mbuluar nga flaket e zjarrit. Patrulla policore menjëher ka shkuar në vend të ngjarjes si dhe janë informuar të gjitha njësitet përgjegjëse për rastin si: Zjarrfikësit, Emergjenca, Sektori i Hetimeve të Stacionit Policor të Suharekës dhe Sektori Rajonal i Hetimeve si dhe eksperti i zjarrëve. Nga informatat e para dyshohet se te vendi i quajtur ‘’Tuma’’ personi M.G. mashkull 82 vjeçar i cili ishte mbrenda automjetit të tij ishte përfshirë tërsisht nga zjarri, me atë rast përsoni i cili kishte mbetur mbrenda ishte i djegur tërsisht me gjithë veturën në vend të ngjarjes”, tha ai.
Lidhur me rastin, Bytyqi tha se në konsultim me prokurorin është hapur rasti “hetim i vdekjes”.
“Rasti është duke u hetuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren”, tha ai, transmeton Gazeta Papirus.