Petros Molyviatis, ish-ministër i Jashtëm i Greqisë dhe një figurë kyçe në politikën dhe diplomacinë greke, është ndarë nga jeta sot, të dielën më 4 maj, në moshën 97-vjeçare.
Ai vuante prej më shumë se gjashtë muajsh nga probleme serioze shëndetësore, kryesisht të lidhura me frymëmarrjen dhe ishte shtruar disa herë në spital.
I lindur më 12 qershor 1928 në ishullin grek të Hios, Molyviatis vinte nga një familje me rrënjë të thella kulturore, nëna e tij Agapi ishte motra e shkrimtarit të njohur Elias Venezis dhe me origjinë nga Ayvaliku i Anadollit të Vogël.
Petros Molyviatis ishte bashkëpunëtor i ngushtë i ish-kryeministrit dhe presidentit të Republikës së Greqisë, Konstantinos Karamanlis.
Në karrierën e tij të gjatë politike dhe diplomatike, ai ka mbajtur disa poste të rëndësishme: tre herë ministër i Jashtëm (2004–2006, 2012 dhe 2015), drejtor i Zyrës Politike të Kryeministrit (1974–1980), sekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës (1980–1985 dhe 1990–1995) dhe deputet proporcional në Parlamentin grek me partinë Demokracia e Re (1996–2004).
Që nga viti 1983 e deri në fund të jetës së tij, ai ishte gjithashtu kryetar i përhershëm i Fondacionit “Konstantinos Karamanlis”./GAZETA PAPIRUS/