Nënkryetarja dhe deputetja e PDK’së, Vlora Çitaku, ka dalë me një reagim në Facebook pas dështimit të sërishëm për konstituimin e Kuvendit.
Çitaku ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e shndërron Kuvendin në një cirk, duke thënë se kjo është e turpshme dhe e dhimbshme, teksa ka theksuar se aty është vendi ku është nënshkruar Deklrata e Pavarësisë, ku është bërë miratimi i Kushtetutës dhe themelimi i Ushtrisë, shkruan Reporteri.net.
“…si po tallen me të dhe me qytetarët që na kanë besuar votën për t’i përfaqësuar me dinjitet dhe për të marrë vendime me peshë”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka përmendur edhe momentin kur kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i ndërpreu fjalën kreut të PDK’së, Memli Krasniqit.
“Madje sot, Kryesuesi i Kuvendit ia ndali fjalën Kryetarit të PDK-së dhe nënshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë, z. Memli Krasniqi, ndërkohë që fjalën nuk ia ndali përfaqësuesit të Listës Serbe. Sinqerisht, për turp”, ka shkruar Çitaku.
Deputetët për të dytën herë me radhë kanë refuzuar që të formohet një komision për votimin e fshehtë për të votuar për kreun e ri të organit ligjvënës.
Propozimi për votim të fshehtë u bë në seancën e së enjtes nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, por që nuk u përkrah nga partitë tjera. U cilësua si precedent i rrezikshëm dhe kundërkushtetues.