Krijuan një plan për një kompleks banesor në Fushë Kosovë, banesat i shitën, paratë i morën, por projekti mbeti vetëm në letër.
Kompania Keni ShPK këtë projekt e nisi në vitin 2020 kurse përfundimin e saj e kishte premtuar në shtator të vitit 2021, por blerësit mbetën duke pritur dita ditës së do të shohin projektin e përfunduar.
Banesën e kishin marrë nga një pronar i një parcele në rrugën Hajrullah Zymi, punën e kishin filluar duke ngritur objektin mbi themele për dy e tri kate.
Por prej asaj kohe këta pronar u zhdukën e asnjëri nga qytetarët që blen banesat nga të, nuk i pa e as nuk arritën të kontaktojnë me ta.
Parat duket se iu shkuan huq… derisa kompania nga qytetarët përfitoi mijëra euro.
Pronarët e Keni SHPK, të cilët nisën ta ndërtojnë ketë objekt banesor, janë Dren e Sami Rexha.
Sami Rexha është i nënshkruar si pronar në kontratat mes blerësve dhe kompaniss, ndërsa Dreni, i regjistruar si pronar, në ARBK.
Përvec një numri kontaktues, kërkimet tjera rezultuan gati me zero për pronarët.
Madje ata nuk gjinden asgjëkundi e as në rrjete sociale.
Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, kjo kompani, kapitalin e deklaruar të biznesit e ka me zero, dhe shihet që ende është aktiv.
Ndonëse kishin lënë një numër telefoni, as kjo thirrje telefonike nuk u bë sebep që të paktën të marrim një përgjigje, lidhur me të gjitha akuzat për mashtrim, të cilat bien mbi supet e këtij biznesi që duket të jetë familjar.
KIKS Kosova provoi të kontaktojë edhe dy vëllezërit nga Podujeva, G.H. Dhe B.H., që sipas blerësit Imer Hajdaraj, ishin ndërmjetësues në blerjen e banesës dhe gjithë mashtrimin që ai po thotë se iu bë, mirëpo asnjëri nga ta nuk kishte qasje në numrat kontaktues të cilat emisioni i posedon.
Me 32 mijë euro, në katin e katërt, mendoi se do të bëhej me një banesë prej plot 95 metrave katrorë.
Imer Hajdaraj, i cili thotë të jetë vetëm një viktimë tjetër e Dren e Sami Rexhës, tregon edhe kontratën që e posedon.
Në vizitën tonë të përbashkët në vendin ku është lënë në gjysmë ndërtimi, ndodhi e papritura.
Në mungesë të pronarëve të kompanisë, aty ishin pronarët që kishin dhënë tokën për banesa.
Ata nuk e mirëpritën vizitën tonë. Madje, u bën goxha nervoz.
Sipas blerëseve të këtyre vendbanimeve, këta persona, të cilët po paraqiten si pronarët e tokës, po tentojnë ta përvetësojnë të gjithë objektin.
Për të shkuar edhe me tej, këta persona po iu kërkojnë blerësve që mos të kërkojnë banesë në këtë tokë.