Profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Gëzim Qerimi, pas rënies së Kosovës në Indeksin e Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, ka deklaruar për “Front Online” se kjo situatë është si kërcënim serioz për demokracinë dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.
Qerimi thotë se një pushtet që lufton me mediat po përpiqet të heshtë të vërtetën dhe zërin e qytetarëve.
“Kur Kosova renditet në mesin e vendeve që shtypin lirinë e medias, dëmtohet vetë themeli i shtetit dhe zbehet imazhi ynë në arenën ndërkombëtare. Një pushtet që lufton me mediat, në të vërtetë lufton me të vërtetën, frikësohet nga zëri i qytetarëve dhe cenon rëndë aspiratat tona për një shoqëri të lirë dhe të hapur”, tha ai.
Ai paralajmëroi se kjo qasje e pushtetit minon përpjekjet e Kosovës për integrim ndërkombëtar.
“Kjo qasje jo vetëm që minon përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por e bën Kosovën më pak të besueshme si shtet modern. Gazetarët do ta fitojnë këtë betejë, siç e kanë bërë gjithmonë, duke i qëndruar afër qytetarëve dhe duke mbrojtur të drejtën për të ditur”, përfundoi Qerimi.