Reperi i njohur amerikan, Kanye West, ka ndërmarrë veprime ligjore kundër një dentisti të Beverly Hills-it, duke e akuzuar atë se e ka bërë të varur nga oksidi i azotit, i njohur ndryshe si “gazi për të qeshur”. Pavarësisht thashethemeve për një ndarje të mundshme, Kanye dhe bashkëshortja e tij, Bianca Censori, janë bashkuar për të ndërmarrë këtë hap ligjor ndaj dentistit.
Sipas mediave amerikane, çifti, përmes zyrës ligjore Golden Law, ka dorëzuar një paralajmërim zyrtar ndaj stomatologut të mëparshëm të West-it, Dr. Thomas Connelly. Sipas ligjit të Kalifornisë, një paralajmërim i tillë duhet t’i dorëzohet mjekut 90 ditë përpara se të ngrihet padia për neglizhencë mjekësore.
Dr. Connelly, i njohur në media si “babai i stomatologjisë me diamant”, akuzohet se gjatë procedurave kozmetike të kryera ndaj West-it në periudhën 2024-2025, i ka administruar në mënyrë të përsëritur dhe në sasi të mëdha oksid azoti. Dokumentet që ka siguruar E! News tregojnë se përdorimi i këtij anestezioni ka çuar reperin drejt një “varësie serioze të induktuar”.
Gjatë kësaj periudhe, Kanye ka kryer disa trajtime estetike dentare, përfshirë vendosjen e një kurore të personalizuar prej titani dhe procedura të tjera jo të zakonshme. Letra zyrtare thekson se Connelly jo vetëm që i ka administruar gazin, por edhe e ka inkurajuar reperin që ta përdorë vetë, pa mbikëqyrje mjekësore, duke shpërfillur shenjat e qarta të ndikimit negativ në shëndetin dhe sjelljen e tij.
“Në shumë raste, i keni ofruar Yé-së oksid azoti (‘gaz për të qeshur’) dhe/ose qetësues të tjerë në sasi të mëdha dhe në mënyrë shumë të shpeshtë, pa ndonjë arsye të justifikueshme dentare apo mjekësore”, thuhet në dokumentin e dorëzuar.
Më tej, ekipi ligjor i West dhe Censori pohon se Connelly ka dërguar edhe bombola të mëdha medicinale të gazit në shtëpinë private të reperit – përfshirë edhe atë që ndante me Biancën – duke e inkurajuar përdorimin e gazit jashtë një mjedisi të kontrolluar mjekësor.
Në faqen zyrtare të klinikës së Dr. Connelly-t thuhet se “burrat më me ndikim në botë i besojnë Dr. Thomas Connelly-t për të formuar buzëqeshjen e tyre ikonike”, duke u ofruar shërbimet e tij “burrave të shquar, sportistëve dhe atyre që kërkojnë më të mirën”.
Avokatët e West gjithashtu pretendojnë se mjeku i ka dhënë reperit edhe një substancë të ngjashme me propofolin – një sedativ që administrohet nëpërmjet injeksionit – dhe më pas e ka liruar nga klinika pa e vlerësuar gjendjen e tij shëndetësore.
“Si pasojë e kësaj, Ye ka përjetuar vuajtje të theksuara fizike dhe mendore, që kërkuan ndërhyrje të menjëhershme mjekësore”, thuhet në letrën e avokatëve. “Veprimet dhe mosveprimet tuaja kanë qenë të pakujdesshme, shumë të papërgjegjshme, dhe në disa raste, ndoshta edhe të qëllimshme dhe dashakeqe.”
Ata shtojnë se varësia ka shkaktuar dhimbje të vazhdueshme, vuajtje dhe trazira serioze në jetën e Kanye West-it, ndërkohë që bashkëshortja e tij Bianca ka mbetur “e privuar nga shoqëria, mbështetja, shërbimet dhe marrëdhënia martesore me partnerin e saj”. “Në vend të një martese të shëndetshme, ajo është detyruar të dëshmojë vuajtjen fizike dhe psikike të Yé-së, si dhe degradimin e tij personal”, përfundon letra.