Mbreti 76-vjeçar i Mbretërisë së Bashkuar u diagnostikua me kancer në shkurt të vitit 2024 dhe i ka mbajtur të fshehta detajet rreth betejës së tij, duke përfshirë llojin e kancerit që ka ose fazën e sëmundjes.
Teksa fliste në një aktivitet të mbajtur në Pallatin Buckingham për rritjen e ndërgjegjësimit për kancerin dhe mbështetjen e atyre që jetojnë me sëmundjen, Mbreti Charles ndau disa nga mësimet që ka nxjerrë nga diagnoza dhe trajtimi i tij i kancerit.
“Me siguri më ka dhënë një vlerësim edhe më të thellë për punën e jashtëzakonshme të ndërmarrë nga organizatat dhe individët e shquar të mbledhur këtu këtë mbrëmje, shumë prej të cilëve i kam njohur, vizituar dhe mbështetur gjatë viteve. Dhe kjo ka përforcuar atë që kam vërejtur prej kohësh gjatë këtyre vizitave – se momentet më të errëta të sëmundjes mund të ndriçohen nga dhembshuria më e madhe”, tha Mbreti Charles nëpërmjet NBC News.
Monarku britanik vazhdoi të falënderonte profesionistët e kujdesit shëndetësor, duke thënë se “ata kanë admirimin dhe mirënjohjen më të thellë të të gjithë familjes sime” dhe se kujdesi i tyre përfaqëson më të mirën që vendi i tij mund të ofrojë.
“Ajo që na bën përshtypje vazhdimisht është ndikimi i thellë i lidhjes njerëzore – qoftë në shpjegimin e kujdesshëm nga një infermiere specialiste, në dorën e mbajtur nga një vullnetar i kujdesit paliativ apo në përvojën e përbashkët në një grup mbështetës”, theksoi Mbreti Charles.
“Këto momente të afërsisë krijojnë atë që unë mund ta quaj një ‘komunitet kujdesi’, një komunitet që i mbështet pacientët në kohët më të vështira”.
Në mars, Mbreti Charles u shtrua për pak kohë në spital gjatë trajtimit të tij për kancer.