Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të cilët dyshohen se kanë mashtruar një person tjetër për shërimin e një familjari në Stamboll të Turqisë, shkruan Gazeta Papirus.
Sipas raportit të Policisë, personat me inicialet I.P dhe A.B., dyshohet se i kishin kërkuar viktimës mbi 100,000 euro, mjete këto për kinse shërim jashtë vendit, ndonëse shpenzimet ishin mbuluar nga qeveria.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Policia e Kosovës, Sektori për Hetime Financiare, sot më 24/04.2025, në kuadër të hetimeve për veprën penale të mashtrimit, ka realizuar një bastisje në zyrat e një subjekti ekonomik në Prishtinë, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore.
Dyshimet lidhen me mashtrimin e një qytetari që i është kërkuar një shumë mbi 100,000 (njëqind mijë) euro për shërimin e një anëtari të familjes së tij në një spital në Stamboll, ndonëse shpenzimet ishin mbuluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Gjatë bastisjes, janë siguruar dokumente dhe pajisje si prova tjera.
Dy të dyshuar me iniciale; (I.P.) dhe (A.B.), janë ndaluar për 48 orë, ndërsa një i dyshuar tjetër është në kërkim.
Hetimet janë duke vazhduar nga autoritete për zbardhjen e plotë të rastit dhe për të siguruar drejtësi për të gjitha viktimat e mundshme.
Me respekt