Njohësi i çështjeve politike në vend, Albert Krasniqi, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje për mënyrën si po e trajton çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, ai ka kërkuar nga VV-ja që të bëjë përpjekje minimale për të siguruar mbështetjen e nevojshme në Kuvend, nëse ka vërtet interes për ta zgjedhur këtë pozitë.
“Nëse VV ka vërtet interes për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, duhet të bëjë të paktën përpjekje minimale për të siguruar mbështetjen e nevojshme. Deri më tani, më shumë energji po shpenzohet në ndërtimin e një narrative se po i mohohet një e drejtë që, sipas saj, i është dhënë nga populli,” ka shkruar Krasniqi.
Ai theksoi se dialogu nuk mund të ndodhë vetëm përmes deklarimeve publike dhe se kryetari i Kuvendit zgjidhet nga deputetët, e jo drejtpërdrejt nga qytetarët.
Sipas tij, mungesa e vullnetit për kompromis me partitë e tjera duhet të pasohet me hapje rruge për formimin e një shumice të re.
“Nëse mungon vullneti për kompromis me partitë e tjera, hapi i vetëm normal është të hapet rruga për të tjerët që të provojnë të formojnë shumicën. Vullneti i qytetarëve për formimin e institucioneve pas një procesi demokratik zgjedhor nuk mund të mbahet peng nga asnjë subjekt politik,” ka përfunduar Krasniqi.