Bashkimi Evropian ka nisur me forcë zbatimin e rregullave të reja të konkurrencës në tregun digjital, duke ndëshkuar dy prej kompanive më të mëdha teknologjike në botë – Apple dhe Meta – me gjoba të majme për shkelje të Aktit të Tregjeve Digjitale (DMA).
Komisioni Evropian, që shërben si organi ekzekutiv i BE-së, ka ndëshkuar Apple me një gjobë prej 500 milionë eurosh, duke e akuzuar kompaninë për pengimin e prodhuesve të aplikacioneve që t’u ofrojnë përdoruesve mundësi më të lira jashtë platformës së saj App Store.
Ndërkohë, edhe Meta Platforms është gjobitur me 200 milionë euro, për shkak të detyrimit që u ka vendosur përdoruesve të Facebook dhe Instagram – duke i detyruar të zgjedhin mes shikimit të reklamave të personalizuara apo pagesës për të mos i parë ato.
Sipas autoriteteve evropiane, të dy kompanitë kanë afat 60 ditë për të respektuar vendimet, përndryshe rrezikojnë pagesa periodike shtesë, nëse vazhdojnë të mos përmbushin kërkesat e përcaktuara.
Ky veprim shënon ndëshkimin e parë të këtij lloji sipas DMA-së, një set i ri rregullash që synon të rrisë transparencën, të përmirësojë zgjedhjet për konsumatorët dhe të kufizojë kontrollin e kompanive të mëdha mbi tregjet digjitale.
Apple dhe Meta kanë shprehur mospajtim me vendimet dhe kanë bërë të ditur se do të ndjekin rrugën e ankesës ligjore.