Në Kuvendin e Kosovës çdo 48 orë po përsëriten përpjekjet për ta përmbyllë konstituimin. Kandidatja e VV’së Albulena Haxhiu ka dështuar tri herë të marrë vota për ta marrë udhëheqjen e Kuvendit që është mbledhur për herë të pestë, një votim për të u evitua me direktiva të partisë së Kurtit. Pasi pamjet ku kandidatja e VV’së siguron vetëm 57 vota po përsëriten, kjo situatë ka mundësi të marrë epilog nga Kushtetuesja. Vullnet Bugaqku nga KDI i ka shpjeguar skenarët si mund të hyjë në lojë kjo instancë.
Gazeta Express
Në rast të këmbënguljes nga partia e parë fituese që të përsërisë ciklin duke propozuar emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare në çdo seancë duke mos pasë shumicën e nevojshme dhe nëse edhe partitë e tjera parlamentare ngulin këmbë në refuzimin e tyre për të pranuar atë atëherë Gjykata Kushtetuese mund të jetë adresa për ta nxjerrë vendin nga kriza e mungesës së krijimit të institucioneve të reja.
Këtij institucioni mund t’i drejtohen 10 deputetë të secilës parti apo edhe vetë Presidentja.
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka dështuar të zgjidhet për të tretën herë në përpjekjen e pestë të Kuvendit për t’u konsistuuar. Partia e parë fituese nuk bëri përpjekje të tjera për të gjetur një kandidat tjetër dhe e kryesuesi Avni Dehari vendosi që seanca tjetër të mbahet të premten brenda 48 orëve, sipas afatit ligjor.
Vullnet Bugaqku nga KDI ka sqaruar për Gazetën Express skenarët e mundshëm se si Gjykata Kushtetuese do të mund të luante rolin e saj për të ndërprerë thirrjen e seancave që s’po arrijnë të konstituojnë Kuvendin dhe për dalë nga ky ngërç politik në të cilin janë ngujuar partitë parlamentare.
“Duke e parë mosgatishmërinë të partive parlamentare që të arrijnë një konsensus apo një marrëveshje mbi zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, rrjedhimisht meqenëse është detyrë dhe përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje si parti fituese që të gjejë një konsensus dhe ta krijojë një shumicë të nevojshme parlamentare për zgjedhjen e kryeparlamentarit, atëherë kam frikë se jemi duke shkuar në një situatë ku patjetër duhet të intervenohet apo që të dërgohet një rast apo një çështje në Gjykatë Kushtetuese, e cila më pastaj do ta japë fjalën e saj dhe besoj që do të japë opinionin apo vendimin për zgjidhjen e kësaj bllokade politike deri më tani”.
Për të ndodhur kjo, Bugaqku thotë se janë dy skenarë; në njërin 10 deputetë minimalisht do t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese, përfshirë edhe ata të Vetëvendosjes nëse duan ta pyesin atë se mosvotimi i kandidates së tyre është antikushtetues dhe në të dytin të angazhohej Presidentja Vjosa Osmani në bazë të kompetencave që ka si palë e autorizuar të çojë raste në Gjykatën Kushtetuese mbi çështje të caktuara kushtetuese.
“10 deputetë të Kuvendit e shfrytëzojnë mekanizmin e nenit 13, pika 5 të Kushtetutës, e cila thotë që 10 deputetë të Kuvendit brenda tetë ditësh mund ta kontestojnë së pari kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji në Parlament dhe së dyti çfarëdo vendimi të Kuvendit për çfarëdo çështje që e zgjedh apo e voton Kuvendi dhe në këtë situatë kemi një vendim për të mos kaluar apo të mos emëruar zonjën Albulena Haxhiu si kryetare të Kuvendit dhe në këtë rast 10 deputetë, qofshin ata edhe nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, të provojnë mundësinë që ta pyesin Gjykatën Kushtetuese nëse ky vendim i Kuvendin për mosemërim ose për moszgjedhje të Haxhiut është vendim në përputhje me Kushtetutën dhe është vendim që lejohet apo është antikushtetues sepse nga momenti i dhënies së propozimit deputetët domosdo duhet që ta votojnë kandidaturën çfarëdo qoftë ajo të propozuar nga VV”.
Bugaqku thotë se do të ishte një rast që do të shërbente që njëherë e përgjithmonë Gjykata Kushtetuese t’i jepte epilog dhe një zgjidhje adekuate këtij rasti sikurse i ka dhënë zgjedhjes së Qeverisë Hoti më 2020 kur Vetëvendosje hezitonte të ofronte një kandidat për kryeministër dhe Gjykata e ndërtoi praktikën që nëse partia e parë nuk i ka numrat ose heziton të ofrojë mandatarin për formim të qeverisë atëherë shumë lehtë mund t’i kalohet çështja të dytit. Ai tha se këtë do të mund të vlerësonte presidentja pas shqyrtimit të të gjitha mundësive.
Skenari i dytë, sipas Bugaqkut
Ai thotë se Presidentja Osmani duhet të aktivizohet tani.
“Nëse dështon të premten seanca atëherë ne veçse kemi hyrë në një ngërç të madh politik dhe një bllokadë të madhe politike dhe meqenëse presidentja me Kushtetutë është garantuese e unitetit dhe funksionimit kushtetues dhe demokratik të institucioneve mund të provojë së pari ndërmjet konsultimeve publike dhe politike me gjithë akterët dhe me gjithë kryetarët e partive politike të provojë nëse mund të gjejë një konsensus dhe jo të diktojë se kush duhet të jetë kryetar i Kuvendit”.
Nëse ulja e tensioneve dhe inateve mes partive politike dhe arritja e një marrëveshje nuk do të mund të ndërmjetësohej nga presidentja, atëherë, sipas Bugaqkut, Osmani mund të shqyrtojë mundësitë t’ia shtrojë këtë çështje Gjykatës Kushtetuese duke i kërkuar sqarime se deri në sa herë mund të propozohet kryetari i Kuvendit nga grupi më i madh parlamentar dhe së dyti çfarë ndodh nëse nuk ka shumicë parlamentare, a mund që të provojë dikush tjetër nga grupet e tjera parlamentare që të propozojnë një kandidat për kryetar të Kuvendit.
“E di që kjo është një pyetje kushtetuese hipotetike që bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese në disa raste është refuzuar të përgjigjet, megjithatë situata është shumë e komplikuar dhe e bllokuar nga aspekti politik, mendoj që duhet të kemi sqarime shtesë për këtë procedurën e përzgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, atëherë unë besoj që një kërkesë e argumentuar mirë nga ana e presidentes mendoj që do të arrinte pranueshmëri në Gjykatë Kushtetuese dhe edhe kësaj here ajo do të mund ta thoshte fjalën e vet dhe do të mund të vendoste njëherë e mirë çështjen e zgjidhje së kryeparlamentarin nëse nuk ka shumicë parlamentare, a mund që ky aspekt i propozimit kur të dështohet vazhdimisht të votohet në Kuvend t’i kalohet ndonjë grupi tjetër parlamentar apo duhet që në mënyrë obligative që momentin e propozimit të kandidatit nga grupi ma i madh parlamentar që ai propozim të votohet nga deputetët në mënyrë detyruese pa pasë mundësi që kjo çështje të shterohet dhe të kalohet në një grup tjetër parlamentar”.
Megjithatë, Bugaqku nga KDI thotë se beson që do të ishte pranuar si çështje nga Gjykata Kushtetuese dhe do të trajtohej si kërkesë me arsyetimin që tri herë apo katër herë radhazi po dështohet të zgjidhej kryetari i Parlamentarit.
Ai thotë se ka precendentë dhe praktika ku Gjykata Kushtetuese i ka pranuar pyetjet e presidentëve për çështje të tilla.
“Mirëpo, është ndryshuar pak kjo praktikë kohëve të fundit sepse është shfrytëzuar shumë herë edhe si mekanizëm këshillues Gjykata Kushtetuese dhe ka tërhequr vërejtjen se s’mund të pranojë çfarëdo pyetje nga akterët institucionalë. Jemi në bllokadë nuk mund ta ndryshojmë ndryshe pa e marrë edhe një interpretim të Gjykatës Kushtetuese mbi atë çfarë ndodh nëse tri herë radhazi dështon”.
Kjo do të ishte zgjidhje e duhur dhe adekuate ku njëherë e përgjithmonë të kemi një vendim edhe për çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit ashtu siç e kemi një vendim të 2020-ës, tha ai.