Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve: H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K., dhe D.G., nën dyshinin për vrasjen e rreshterit policor Muhamet Lika më 1 prill në Kaçanik.
Ata dyshohen se bashkë me të miturin- të cilit të hënën iu caktua masa e paraburgimit, kanë kryer vrasjen e rreshterit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 01.04.2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin e II-të të hyrjes së ndërtesës, të pandehurit duke vepruar në bashkëkryerje, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë planifikuar për ta privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin e policisë, rreshterin M.L., me detyrë në Stacionin Policor në Kaçanik, ku viktima pas përfundimit të orarit të punës ora 22:53, rrugës për në banesën e tij, i njëjti ishte përcjell në vazhdimësi nga madhorët deri te hyrja e banesës së tij ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar duke u ngjitur shkallëve, i mituri i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor, i mituri me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri dhe në vend ngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe nga plagët e marra nga predhat e armës së zjarrit, viktima M.L., ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.
Me këtë, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.9 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës Nr. 06/L-074./Gazeta Papirus/