Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po vazhdon me “makinacionet e bllokimit” të konstituimit të Kuvendit, për shkak se, sipas tij, nuk i ka numrat për krijimin e Qeverisë, shkruan Gazeta Papirus.
Në një deklaratë në Facebook, Haxhiu tha se sot LVV bëri një “gafë të radhës”, duke shkelur rregulloren e Kuvendit përmes kryesuesit të seancës.
Ai theksoi se “ata që kanë shumicën në Kuvend nuk e bllokojnë procesin e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve”, pasi ky hap është i domosdoshëm për të kaluar më pas në krijimin e Qeverisë.
“LVV nuk i ka numrat për krijimin e Qeverisë, prandaj po vazhdon maskaradën e makinacioneve të bllokimit të konstituimit të Kuvendit. Sot LVV bëri gafën e radhës, dhe kryesuesi shkeli rregulloren e Kuvendit, pasi ata që kanë shumicën në Kuvend nuk e bllokojnë konstituimin e Kuvendit te votimi i kryetarit dhe nënkryetarëve sepse nuk mund pastaj të kalojnë në hapin për krijimin e Qeverisë. Nuk mundet VV t’ua imponojë votimin për kryetar të Kuvendit nëse paraprakisht nuk i ka 61 vota te cilat do të duhej t’i arrinte me marrëveshje me ndonjë parti politike për qeverisje”, tha Haxhiu.
Ai gjithashtu kritikoi deklaratat e përfaqësuesve të LVV-së se mund të propozojnë nënkryetar Kuvendi dhe më pas të votojnë kundër, duke e quajtur këtë një “gafë të madhe”.
Ish-deputeti i PDK-së theksoi se aktualisht në Kuvend nuk ka pozitë dhe opozitë, pasi askush nuk ka dëshmuar që i ka shumicën, dhe si rrjedhojë “nuk janë votat as për krijimin e Qeverisë.”
“Nga viti 2011 prej kur LVV është në Kuvend asnjëherë nuk e ka votuar kandidatin e pozitës për kryetar të Kuvendit, pse tani të tjerët duhet me ja votu kanditatin VV-së?
“Herë këtë të enjte e herë në atë të enjte, o Albin boll na rrejte”- ky është hiti më i ri që i shkon për shtati kësaj situate të krijuar nga LVV-ja.
Ku janë votat që deklaronin se i kanë?”, përfundoi ai.