Pas dështimit të seancës konstituive për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar duke e cilësuar situatën si të paprecedent dhe të dëmshme për institucionin më të lartë legjislativ në vend.
Krasniqi ka thënë se koalicioni qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa ka të drejtë ta propozojë kandidatin për kryetar, por jo ta imponojë atë, pasi nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur pa mbështetje të gjerë.
Sipas tij, insistimi i VV-së për të nominuar për të katërtën herë Albulena Haxhiun, e cila ka dështuar vazhdimisht të marrë votat e nevojshme, paraqet një bllokadë të qëllimshme të procesit.
Ai theksoi se krijimi i institucioneve është më i rëndësishëm sesa ambiciet individuale të ndonjë kandidate.
“Rruga është e qartë. Vetëvendosje duhet të gjejë një kandidat tjetër, sepse ajo që ka dështuar, do të dështojë përsëri. Kuvendi dhe qeveria e Kosovës nuk mund të mbahen peng për shkak të tekeve të brendshme,” është shprehur Krasniqi.
Ai tha se Albulena Haxhiu nuk do të ketë përkrahjen e PDK-së, duke përmendur, sipas tij, skandale të shumta që e kanë shoqëruar gjatë mandatit të saj, përfshirë çështje që lidhen me trajtimin e rastit të Astrit Deharit dhe qëndrimet lidhur me Gjykatën Speciale.
Krasniqi u shpreh se nuk është detyrë e opozitës t’i zgjedhë kandidatin Lëvizjes Vetëvendosje, por kjo e fundit ka në dispozicion 47 deputetë dhe duhet të gjejë një propozim të ri.
Ai gjithashtu hodhi poshtë çdo mundësi për marrëveshje me Vetëvendosjen, duke deklaruar se nuk ka asnjë formë bashkëpunimi të dakorduar mes dy subjekteve politike.