Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar përvjetorin e masakrave që ndodhën më 21 prill 1999 në katër vendndodhje të ndryshme të Kosovës, ku forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë kryen krime të tmerrshme ndaj civilëve të pafajshëm, transmeton Gazeta Papirus.
“21 prilli i vitit 1999, një ditë, katër vendndodhje, një krim nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë. Në të njëjtën ditë, në pjesë të ndryshme të Kosovës, forcat kriminale serbe vranë me gjakftohtësi dhjetëra civilë të pafajshëm, duke lënë pas vetëm dhimbje, kujtime dhe thirrjen për drejtësi, e cila nuk ka pushuar asnjëherë”, ka thënë presidentja Osmani.
Ajo ka theksuar se në Grashticë të Prishtinës, 60 burra të zhvendosur nga fshatrat e Gollakut u vranë mizorisht nga forcat serbe. Trupat e tyre u hodhën në lumë në një përpjekje për të fshirë çdo gjurmë të krimit.
Tutje, në Nakaradë të Fushë-Kosovës, ajo përmendi vrasjen e 16 burrave dhe djemve të familjes Mirena, të cilët u ndanë nga të afërmit dhe u ekzekutuan në mënyrë brutale.
“16 burra dhe djem të familjes Mirena u ndanë nga të afërmit e tyre dhe më pas u vranë brutalisht. Ky ishte një tjetër akt barbar, një tjetër krim që nuk mund të harrohet”, tha Osmani.