Një aksion i madh i Njësive Speciale është zhvilluar sot në Kaçanik, i cili lidhet me vrasjen e rreshterit Muhamed Likës, transmeton Gazeta Papirus.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka bërë të ditur se janë arrestuar 7 persona të dyshuar për vrasjen.
I njëjti bën me dije se njëri ndër ta është një ish-pjesëtar i FSK’së, jo pjesëtar i policisë.
Tutje Hoxha, ka thënë se disa nga të dyshuarit në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, kanë të kaluar kriminale.
“Ne kemi arritur të sigurojmë prova, dëshmi të cilat e lidhin këtë grup kriminal me vrasjen e rreshterit tonë. Mbetet të shihet backgroundi i tyre. Disa nga ta kanë pasur të kaluar kriminale, kanë qenë të arrestuar edhe për raste të mëhershme, e që ndërlidhen me thirrje ekstremiste. Për çështjen e terrorizmit duhet ta shohim pastaj sepse hetimet duhet të vazhdojnë tutje për ta vërtetuar këtë punë, por janë persona të dyshuar, të rrezikshëm, të cilët ne dyshojmë që e kanë kryer këtë vrasje, e kanë planifiku dhe po ashtu e kanë ekzekutuar”, tha ai.
Ndër të tjera, Hoxha konfirmoi se disa nga personat e arrestuar sot, janë të dyshuar edhe për rastin e djegies së objektit të Gjykatës në Kaçanik.
“Disa persona të arrestuar sot, kanë qenë të dyshuar për rastin e djegies së objektit të gjykatës në Kaçanik – janë të dyshuar në planifikimin dhe ekzekutimin e rreshterit tonë”, deklaroi, Hoxha.