Deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, para vazhdimit të seancës konstituive dha sinjale se sërish bashkëpartiaku i tij, Avni Dehari, që do të kryesojë seancën nuk do ta hedhë në votim raportim për verifikimin e mandateve sikurse ndodhi në seancën e kaluar, transmeton Gazeta Papirus.
Ai ka dhënë dy ‘opsione’ se si të dilet nga situata, por asnjëra nuk është dorëheqja e qeveritarëve për të marrë mandatet e deputetit, sipas ligjit.
Abrashi ka thënë se deputetët “që refuzojnë të bëhen deputetë” duhet të zëvendësohen me deputetë të subjekteve të tyre.“Refuzimi i mandateve me mosvotimin e Raportit është fakt. Të gjithë ata që kanë fituar besimin qytetar, por që kanë refuzuar verifikimin e mandateve në seancën e 15 prillit, realisht dhe formalisht kanë refuzuar të bëhen deputetë e përfaqësues të qytetarëve. Andaj, deputetët mosvotues do të duhej të zëvendësoheshin nga deputetët e subjekteve përkatëse që janë në radhë për t’u bërë deputet sipas listës së certifikuar të rezultateve nga KQZ”, ka shkruar ai në Facebook.
Po ashtu, ai thotë se partia e tij është edhe për opsionin e zgjedhjeve, prandaj “duhen konsultime”.
“Në anën tjetër, në lidhje me këtë situatë, tashmë kemi edhe një propozim konkret të Kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, për datën e zgjedhjeve, i cili ka propozuar datën 15 qershor 2025. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë edhe për këtë prandaj duhen konsultimet paraprake sepse bllokimi nuk është alternativë. Tashmë kemi më shumë se një opsion dhe le të deklarohen për cilën janë”.
Vazhdimi i seancës konstituive pritet të nisë nga ora 12:00, ndërsa ende nuk dihet nëse do të tejkalohet ngërçi me pikën e parë të rendit të ditës – votimin e raportit të Komisionit për kuorumin dhe verifikimin e mandatave.