Në prag të seancës së tretë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës që do të mbahet sot në orën 12:00, Instituti i Kosovës për Drejtësi ka mbajtur konferencë për media ku ka sqaruar situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës pasi s’ka arritur të kalojë raporti i Komisionit për verifikimin e Mandateve.
Naim Jakaj nga IKD, ka thënë se është e qartë që në momentin kur dikush betohet si deputet, në asnjë rrethanë s’mund të jetë në të njëjtën kohë edhe kryeministër apo ministër.
Një gjë është e qartë. Nga momenti i dhënies së betimit, në asnjë rrethanë një person s’mund të jetë edhe anëtarë i kabinetit qeveritar dhe deputet, qoftë kryeministër qoftë ministër”, ka thënë Jakaj.
“S’bëhet dallim për një qeveri të rregullt apo qeveri në detyrë. KM dhe ministrat që në momentin e betimit, duhet të dorëzojnë dorëheqjet tek kryesuesi dhe administrata e Kuvendit”, ka shtuar ai tutje.
Jakaj i IKD-së ka thënë se letra e prezantuar nga kryeministri Albin Kurti s’është akt i dorëheqjes dhe se përmbajtja e saj tregon që Kurti dëshiron të vazhdojë ta drejtojë qeverinë edhe duke qenë deputet.
“Letra e dorëzuar nga Kurti s’është akt i dorëheqjes. Interpretimi i tij se qeveria e tij ka statusin ekuivalent me qeveri në detyrë, vlen për qeverinë si institucion dhe jo për të si drejtues i saj.
Përmbajtja e letrës tregon se Kurti dëshiron ta udhëheq qeverinë duke qenë deputet. Kryeministri duhet të japë dorëheqje në kuptimin klasik të saj dhe jo ta interpretojë pozitën e tij si të tillë”, ka sqaruar ai tutje.
“Në bazë të Ligjit, kryeministri duhet të japë dorëheqje në momentin e betimit, dhe qeveria s’mund të udhëhiqet nga Kurti, udhëheqja i kalon zv.kryeministrit dhe postet ministrore udhëhiqen nga zv.minsitrat”, ka thënë ai.