Një zhvillim i ri ka ndodhur në rastin që Gazeta Sinjali e ka raportuar më herët, lidhur me vdekjen e dyshimtë të një gruaje në fshatin Raskovë të Obiliqit. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, Policia ka zbuluar një armë automatike pa leje, ndërsa rasti është inicuar në Prokurori.
Burime të Sinjalit nga Prokuroria bëjnë me dije se më 18 prill 2025, rreth orës 15:00, hetuesit e Stacionit Policor të Obiliqit, gjatë hetimit në kuadër të rastit “Hetim mbi vdekjen” të 47-vjeçares Fitime Isufi, kanë hasur në një armë të tipit AK-47 me kondak druri, bashkë me një karikator pa fishek, në shtëpinë ku kishte ndodhur rasti.
Arma dyshohet se është në pronësi të bashkëshortit të viktimës, Bahri H. Beçiri (rreth 44-vjeçar), i cili tashmë është nën hetim për veprën penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.”
Me vendim të Prokurorit, arma është sekuestruar dhe rasti është dërguar në procedurë të rregullt. Hetimet rreth të dyja rasteve – vdekjes së viktimës dhe posedimit të armës janë në vijim.