Dy atentatet e mbrëmshme, në Lezhë dhe Tiranë, kanë një emërim të përbashkët: Roan Brahimin, i vrarë në Athinë në maj të 2024.
Mbrëmjen e së enjtes, persona të paidentifikuari vranë në Lezhë babanë e Roanit, Gjovalin Prendin. E ndërsa një orë më vonë në Tiranë dyshohet se objektivi radhës do të ishte bashkëshortja e Roan Brahimit, por që në këtë atentat dyshohet të jetë ngatërruar objektivi dhe u plagosën 4 persona, mes tyre 2 të mitur, njëri prej të cilëve mori plagë të rënda në trup, transmeton Gazeta Papirus.
Të katër personat udhëtonin me mjetin luksoz Mercedes Benz G Class dhe po ktheheshin në Tiranë nga një festë ku kishin qenë për të festuar ditëlindjen e 11 të njërit prej tyre që mbeti po ashtu i plagosur.
Mjetit iu zu pritë nga persona ende të paidentifikuar dhe që qëlluan me breshëri kallashnikovi nga një motor në ecje. Drejtuesi i G Class-it, 34-vjeçari Arens Stafa për të shpëtuar nga vrasësit kreu disa manovra në rrugë dhe lëvizi në drejtim të Lundrës. Në rrugë për shkak se edhe vetë mori plagë, humbi kontrollin dhe u përplas me një tjetër makinë, dhe më pas humbi ndjenjat.
Ai, një 19 vjeçar si dhe dy vëllezërit, djemtë e pronarit të një shoqërie sigurie private, përkatësisht 11 dhe 17 vjeç u dërguan në spital nga banorët e zonës që më pas njoftuan edhe forcat e rendit. Tre prej të lënduarve ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa djali 11 vjeçar mori plagë në kraharor dhe gjendja e tij është më e rënduar.
Policia nuk ka një pistë konkrete hetimore për atentatin ndaj tyre, pasi rezultoi të mos jenë persona problematikë apo me precedentë penalë. Ka dyshime të forta se atentatorët të kenë ngatërruar objektiv, shkruan A2 CNN.
Për të faktuar këtë, hetuesit verifikuan personat që lëvizin në zonë me mjet gati të njëjtë. Një prej tyre është edhe bashkëshortja e Roan Brahimit që më herët mbante identitetin Sidorel Prendi, i vrarë vitin e kaluar në Greqi. Një orë para atentatit në Tiranë, në Lezhë persona të paidentifikuar i ekzekutuan me breshëri kallashnikovi babanë atij, Gjovalin Prendin. Ngjarja ndodhi në lokalin e tij në fshatin Pllanë. Atentatorët dyshohet të jenë vrasës me pagesë.
Pas vrasjes së 64-vjeçarit, policia gjeti të djegur në Fushë-Gjormë një automjet që mendohet të ketë qenë i autorëve të krimit. Si pistë kryesore, hetuesit janë përqendruar të hasmëria mes grupeve kriminale. Djali i tij Roan Brahimi është hetuar si porositës dhe i përfshirë në disa atentate të ndryshme mafioze që kanë lënë disa të vrarë. /A2