Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Zymberi për ndarjen nga jeta të Muharrem Zymberit, babait të heroit Enver Zymberi.
Ngushëllimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Me Bacën Rremë jam takuar në vitin 1999, në Burgun e Pozharevcit, ku kemi qenë për një vit bashkë. Jemi takuar shumë herë në vitet pasuese.
Më 29 maj 2021, Baca Rremë bashkë me vajzën Shyhrete Zymberi-Brahimi dhe djalin Çlirimin, i cili i shërben vendit si pjesëtar i Policisë së Kosovës, më patën vizituar në zyrë.
Sivjet u patëm takuar edhe në Dubovc të Vushtrrisë, më 26 korrik, në 10 vjetorin e rënies së Enver Zymberit, i cili dha jetën në krye të detyrës si pjesëtar i forcave speciale të Policisë së Kosovës.
Pas homazheve dhe vendosjes së luleve të freskëta te varri i Enverit, pata vizituar edhe familjen Zymberi.
Baca Rremë jetoi me ndjenjën e lartë të patriotizmit, me të cilin i ushqeu e rriti edhe pasardhësit e tij, që me nder kontribuan e vazhdojnë të kontribuojnë për Republikën e Kosovës.
Jeta dhe veprimtaria e tij, ishte dhe do të mbetet frymëzim për të gjithë ata që lartësojnë vlerat e kombit dhe i mishërojnë ato në punë e angazhim për atdheun.
Ai ishte shembulli i njeriut atdhedashës, trim e i qëndrueshëm, punëtor dhe dashamirës, me përkushtim të pakursyer për Kosovën. Të tillë do ta kujtojmë përherë”.