Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se nuk mundën që “të gjejnë zgjidhje” për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ajo tha se letra e presidentes Vjosa Osmani e ka kërkuar këtë, ndërsa shtoi se në një zgjidhje s’mund të vinin “pa pasur konsultime”.
“Ne sot ishim të gatshëm për zgjidhjet e mundshme që mund t’i kemi para vetes. Unë isha e pranishme në këtë takim”, tha Haxhiu, duke pretenduar se duan “ta korrigjojnë” mosvotimin e raportit të komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve.
Ajo tha se duhet të shohin se “cila është mënyra e duhur” për të proceduar tutje, dhe për këtë tha se ishin të gatshëm të propozonin “edhe mënyra”.
Haxhiu përsëriti se një situatë e tillë nuk parashihet as me Kushtetutë dhe as me ligjet e vendit.
Konsultimet e thirrura nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari nuk parashiheshin në skenarin zyrtar të seancës konstituive.
Në të thuhet se punimet e seancës “vazhdojnë”, ndërsa ato u ndërprenë për disa minuta pasi Dehari i thirri përfaqësuesit e partive politike në një sallë tjetër për “konsultime se si do të vazhdohet tutje” për shkak që, siç tha “të mos bëjmë ndonjë shkelje procedurale, ligjore ose kushtetuese”.
Sipas skenarit, kryesuesi do të duhej t’u kërkonte deputetëve të votojnë për raportin e komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, gjë që ai nuk e bëri.