Prokuroria Themelore në Gjakovë njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet F.H., për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetin zyrtar”, dhe “Marrja e ryshfetit”.
Bëhet fjalë për zyrtarin e zyrës së Q.P. në Gjakovë, i cili i kishte marrë 150 euro një personi për t’ia rregulluar dokumentet për bashkëshorten, gjegjësisht për t’ia dhënë vendimin për pagesën e pushimit të lehonisë, transmeton Gazeta Papirus.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë, si dhe t’i shqiptohet dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik.