Kryeministri i “dorëhequr” Albin Kurti ka marrë shembujt e ish-kryeministrave Thaçi, Haradinaj e Hoti në të kaluarën për të thënë se ata qëndruan në detyrë deri kur u formuan institucionet, ndërsa akuzoi tri partitë, PDK, LDK e AAK se po kërkojnë që institucionet t’i lënë në vakum, transmeton Gazeta Papirus.
Megjithatë, ai po iu referohet rasteve kur nuk ishte në fuqi Ligji për Qeverinë, të cilin e ka votuar qeveria e tij më 2022.
“Kemi nga e kaluara shembullin e ish-kryeministrit Thaçi që ndonëse kishte dhënë betimin e deputetit në korrik të vitit 2014, kishte vazhduar të jetë kryeministër në detyrë deri në dhjetor të atij viti kur u pat votuar qeveria e re. E kemi shembullin e kryeministrit Haradinaj, i cili dha dorëheqjen në korrik të vitit 2019 vetëm për të vazhduar tutje si kryeministër në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë Kurti 1 në shkurt të vitit 2020. Gjithashtu e kemi shembullin e kryeministrit Hoti, i cili mbeti në detyrë deri në formimin e Qeverisë 2, në mars të vitit 2021, përkundër faktit që Qeveria e tij u shpall e jashtëligjshme nga Gjykata Kushtetuese në dhjetor 2020”.
“Pra në historikun tonë të formimit të institucioneve kemi shembuj nga e kaluara kur një qeveri e udhëhequr nga PDK, ndonëse me Kuvend të shpërndarë, një qeveri e udhëhequr nga AAK, ndonëse e dorëhequr dhe një qeveri e udhëhequr nga LDK, ndonëse e shpallë si e jashtëligjshme, kanë qëndruar në detyrë deri në formimin e qeverisë së re. Por, një qeveri e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse ka përmbushur mandatin e saj të rregullt katërvjeçar na u dashka të largohet nga zyrat e saj një orë e më parë”.
Ligji për Qeverinë parasheh që nëse një anëtar i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit, ai duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të ekzekutivit para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.
Gjithashtu, sipas ky ligj parasheh se mandati i Qeverisë përfundon me përfundimin e mandatit katërvjeçar të Kuvendit me votimin e suksesshëm nga Kuvendi të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, me dorëheqjen e kryeministrit, apo me shpërndarjen e Kuvendit.
Kurti më pas tha se janë të interesuar të formojnë institucionet dhe tha se do të jenë “të përgjegjshëm” për të mos krijuar “vakum institucional”.
“Si fitues të padiskutueshëm të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, jemi shumë të interesuar që të ecim përpara drejt formimit të institucioneve. Jemi të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm për të mos lejuar një vakum institucional”.
“Përkundër thirrjeve të papërgjegjshme opozitare dje për pezullim të shtetit, shteti funksionon prej arrestimit të kriminelëve serbë të digjitalizimi i arkave fiskale e të publikimi në Shkodër i projektit të hekurudhës Prishtinë-Durrës”.