Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë i ka dhënë më shumë prioritet një vizite për bashkëpunimin ekonomik mes ShBA-së dhe Kosovës, sesa zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës në përpjekje për formimin e institucioneve të reja.
Në kohën sa po zhvillohej seanca në Kuvend, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ka zhvilluar një vizitë tek “Devolli Corporation” në Pejë, ku është pritur nga biznesmeni Shkëlqim Devolli. Ndërkohë, në punimet e seancës konstituive, Ambasadën e ka përfaqësuar ushtruesi i detyrës së zëvendësshefit të misionit, Ralan Hill, që është vartës i saj.
Kësaj vizite, ambasada i ka dhënë prioritet edhe nëpër rrjete sociale.
Në rrjetet sociale të ambasadës është shpërndarë njoftimi për këtë vizitë, teksa për pjesëmarrjen e Hill në seancën e paraparë për konstituimin e Kuvendit nuk ka asnjë njoftim publik.
Tek njoftimi i ambasadës për vizitën thuhet se “Prince Coffee” është shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit në biznes mes ShBA’së dhe Kosovës.
“Prince Coffee është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit të biznesit SHBA-Kosovë – deri më sot ajo ka investuar në ekonominë e SHBA-së duke punësuar afro 100 njerëz në lokacionet e saj të kafeneve në SHBA! I Ngarkuari me Punë Anu Prattipati dhe përfaqësues të Ambasadës vizituan fabrikën e Princ Coffee në Pejë dhe diskutuan mënyrat për të forcuar më tej lidhjet ekonomike SHBA-KS. Vizita riafirmoi mbështetjen për kompanitë kosovare që kërkojnë të investojnë në Shtetet e Bashkuara dhe theksoi mundësitë e reja për bizneset kosovare për t’u lidhur me kompanitë amerikane përmes #SelectUSA #PreferredPartnerUSA”, thuhet në njoftim.