Në Kosovë, duket se as rreziku për të mashtruar institucionet e sigurisë nuk përbën më ndonjë frikë për kompanitë që garojnë në tenderë publikë. Tre operatorë ekonomikë kishin aplikuar për furnizim me uniforma policore, por njëra prej tyre kishte falsifikuar dokumentet e domosdoshme për të kaluar kriteret e tenderit. Përkundër kësaj, vetëm njëra nga kompanitë që ishte pjesë e grupit ofertues u dënua me përjashtim nga tenderët për një vit, dy të tjerat dolën pa asnjë pasojë, shkruan Demokracia.com.
Bëhet fjalë për grupin e operatorëve ekonomikë Poligoni i Shenjëtarisë Katana, Sen El Konfeksiyon Tekstil Taahut San, dhe Info Global BV, që bashkë kishin dorëzuar ofertën për aktivitetin e prokurimit për “Furnizim me uniforma policore”, me numër të prokurimit 214-23-8647-1-1-1, të iniciuar nga Policia e Kosovës. Këta të fundit dyshoheshin se kishin dorëzuar ateste të falsifikuara për të dëshmuar cilësinë e uniformave të ofruara.
Por vetëm njëra kompani “Info Global BV” është ndëshkuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), duke u futur në listën e zezë për një vit. Dy të tjerat, edhe pse ishin pjesë e të njëjtit grup ofertues dhe bashkëgarues në tender, janë liruar nga përgjegjësia.
Mashtrimi me dokumente të sigurisë dhe roli i laboratorit
Në janar të vitit 2024, Policia e Kosovës kishte ngritur dyshime për vërtetësinë e atesteve të cilësisë së dorëzuara nga ky grup operatorësh dhe i ishte drejtuar me email Laboratorit SGS në Turqi – institucioni që, sipas dokumenteve të ofertës, thuhej se i kishte lëshuar këto ateste.
Laboratori SGS u përgjigj më 1 shkurt 2024 duke konfirmuar se dokumentet e dërguara nuk ishin autentike dhe nuk përmbanin të njëjtat të dhëna me dokumentet origjinale që ata kishin lëshuar. Madje, bashkë me përgjigjen e tyre, ata dërguan edhe versionet origjinale të atesteve, ku u konstatua se kishte ndërhyrje të qarta në dokumentacionin që ishte dorëzuar nga grupi i operatorëve ekonomikë.
Kjo nënkuptonte se gjatë procesit të ofertimit, ishin përdorur dokumente të manipuluara për të fituar tenderin e Policisë së Kosovës.
Marrja e përgjegjësisë dhe përjashtimi nga tenderët
Pas kësaj, Policia e Kosovës kërkoi nga OSHP-ja marrjen e masave ndëshkuese ndaj të gjithë anëtarëve të grupit ofertues, në përputhje me nenin 99.2 të Ligjit për Prokurim Publik. Kërkesa përfshinte ndalimin e tyre nga pjesëmarrja në tenderë publikë për shkak të falsifikimit të dokumenteve.
Në përgjigjen e tyre ndaj OSHP-së, kompania Poligoni i Shenjëtarisë Katana, që ishte edhe lideri i grupit, pranoi se kishte kërkuar sqarim nga partneri tjetër, Info Global BV, pas pranimit të letrës për eliminim nga tenderi. Në email-in e datës 22 prill 2024, Info Global BV pranoi përgjegjësinë për ndërhyrjen në ateste, duke e arsyetuar si një “gabim të paparashikuar” dhe bashkëngjiti dokumentet origjinale.
Në mbrojtjen e saj para OSHP-së, Poligoni i Shenjëtarisë Katana deklaroi se nuk kishte qenë e njoftuar për falsifikimin nga partneri i saj dhe kërkoi të përjashtohej nga çdo masë ndëshkuese. Madje, iu referua edhe nenit 4.2 të marrëveshjes së bashkëpunimit mes operatorëve ekonomikë, ku secila palë merr përgjegjësi vetëm për veprimet e veta.
Vendimi përfundimtar: Dënim selektiv
Pasi shqyrtoi dokumentacionin dhe argumentet e palëve, Paneli Shqyrtues i OSHP-së vendosi ta aprovojë vetëm pjesërisht kërkesën e Policisë së Kosovës.
- U refuzua kërkesa për përjashtimin e Poligonit të Shenjëtarisë Katana dhe Sen El Konfeksiyon Tekstil Taahut San, me arsyetimin se nuk ishin palë e drejtpërdrejtë në falsifikimin e dokumenteve, dhe se përgjegjësia për ndërhyrjet në ateste ishte pranuar vetëm nga Info Global BV.
- U aprovua kërkesa për përjashtimin e Info Global BV, e cila u vendos në “listën e zezë” për një periudhë prej një viti, nga 10 prilli 2025 deri më 9 prill 2026.
Paneli u mbështet në provat e dorëzuara, deklaratat nën betim dhe marrëveshjen e grupit ofertues për të ndarë përgjegjësitë.
Ky rasti ngre dyshime për standardet e integritetit në prokurimin publik në Kosovë, veçanërisht kur bëhet fjalë për tenderë që lidhen me sigurinë e vendit.
Ekziston një ‘listë e zezë’ në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Aty futen kompanitë që pretendohet se janë zënë duke ofruar dëshmi të rrejshme gjatë ofertimit të tyre në proceset e prokurimit ose nuk i kanë ofruar dëshmitë e nevojshme as pas nënshkrimit të kontratës. Pas kërkesave nga ana e institucioneve për të futur një kompani në listën e zezë vetëm për dy forma të shkeljes ekziston baza ligjore për sanksionim të shpejtë administrativ, që në rastin e Kosovës është diskualifikimi për pjesëmarrje në tenderim për një kohë të caktuar.
Falsifikimi i dokumentit zyrtarë dhe mashtrimi në prokurim publik përbën vepër penale bazuar në Kodin Penal të Kosovës/Demokracia.com/