Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas në të cilin theksoi rolin kyç që ka Bashkimi Evropian jo vetëm për ruajtjen e stabilitetit, por për ofrimin e vizionit dhe drejtësisë për të gjithë qytetarët e Evropës.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se Gërvalla në takim ka nënvizuar nevojën që Republika e Kosovës të trajtohet si partnere e barabartë dhe e respektuar në të gjitha proceset integruese evropiane, duke përfshirë përshpejtimin e rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
Ajo theksoi se mbështetja për Kosovën nuk mund të mbetet në nivel deklarativ, por duhet të përkthehet në hapa konkretë, përmbylljen e procesit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, avancimin e aplikimit për anëtarësim në BE dhe heqjen e masave të padrejta që cenojnë frymën e partneritetit.
Tutje, ministrja në detyrë ka ritheksuar se e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetë e plotë pa Kosovën, transmeton Gazeta Papirus.