Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, shpreh shqetësimin për mungesën e kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë, duke paralajmëruar se vendi do të mbetet i varur nga importet, çka do të çojë në rritje të çmimeve.
Në një intervistë për EO, Gërxhaliu shpjegoi se çmimi i energjisë mund të rritet deri në 35 për qind, duke përmendur gjithashtu që kjo rritje mund të ndodhë në mënyrë të heshtur, duke shkaktuar barrë të rëndë për qytetarët dhe ekonominë.
“Duhet të kuptohet e vërteta që ne duhet të brengosemi për mungesë të prodhimit të energjisë elektrike dhe për mungesën e kapaciteteve të reja për prodhim të energjisë elektrike e jo vetëm për çmim. Sepse, nëse nuk kujdesemi dhe nuk investojmë në prodhim, do të jemi të varur nga importi i energjisë elektrike dhe kur je i varur atëherë çmimet nuk do të jenë gjithmonë stabile. Kjo nuk është befasi, sepse që nga janari i vitit 2025 është paralajmëruar një ngritje prej 35 për qind. Është fakt që 16 për qind tingëllon në formë shqetësuese, mirëpo rritja do të jetë shumë më e lartë. Kjo rritje dhe ky kompensim nga politika do të bëhet në mënyrë të heshtur, do të ketë subvencionim të operatorëve dhe përsëri do të jetë një barrë për aspektin social dhe ekonomik të Kosovës”, deklaroi Gërxhaliu.
Ai shtroi nevojën për përgjegjësi dhe llogaridhënie për politikat energjetike, duke paralajmëruar se rritja e çmimeve mund të dëmtojë sektorin prodhues dhe privat, duke i bërë produktet dhe shërbimet kosovare jo konkurruese në tregun ndërkombëtar.
“Kjo është kostoja e heshtjes që sot e paguan qytetari i Kosovës, falë servilizmit ndaj politikës. Mjerisht, sot, në vend që Kosova të jetë shtet eksportues i energjisë elektrike, ballafaqohemi me këtë ngritje të çmimeve. Jemi vendi më i varfër në Evropë. Ky eksperiment do ta ngufat dhe do ta vështirësojë edhe më tepër jetën e qytetarëve të Kosovës. Por, do të jetë edhe një goditje e rëndë për ekonominë dhe në veçanti për sektorin prodhues dhe privat. Qoftë prodhimet, qoftë shërbimet ‘Made in Kosova’ do të jenë jo konkurruese. Na presin ditë të zymta, por dua të besoj se do të ketë reflektim nga masa”, tha Gërxhaliu.
Sipas tij, mungesa e institucioneve e bën të pamundur adresimin e kërkesave të qytetarëve dhe e përkeqëson edhe më tej situatën. Ai paralajmëron se kjo është një qasje eksperimentale që mund të ketë pasoja serioze për të ardhmen e vendit.
Duhet të kërkojmë përgjegjësi dhe llogaridhënie për dështimet dhe të mos përsëriten. Por ajo që është më shqetësuese është se një ngritje e tillë e çmimit ndodh në kohën kur nuk kemi as qeveri e as parlament dhe nuk ka ku të adresohen kërkesat e qytetarëve. Kjo është e vështirë. Ky është një hap eksperimental që mund të ketë pasoja në të ardhmen”, tha Gërxhaliu.