Kryeministri Kurti po përfaqëson Kosovën me fusnotë në takimin e Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës, në Bruksel.
Ky është takimi i katërt që mbahet mes Kosovës dhe BE-së sa i përket progresit të MSA-së.
përpos kryeministrit Kurti, në Bruksel kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministrja Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu dhe zëvendësministrja e Drejtësisë Nita Shala.
Këshilli i Stabilizim-Asociimit është formuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe në të analizohet zbatimi i kësaj marrëveshjeje nga të dyja palët.
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është marrëveshja e parë kontraktuale dhe e vetmja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016 dhe e cila synon të mbështesë përpjekjet e Kosovës për forcimin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës.