Këtë e bëri të ditur kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli”.
Në këtë rast, Milosavleviqi, në cilësinë e gardianit në burgun e Dubravës, po akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile.
Lidhur me këtë dëshmitar, avokati Vasiq i propozoi trupit gjykues që seanca e sotme të shtyhet, duke kërkuar një afat kohor në mënyrë që të sigurojë prezencën e tij, dhe nëse nuk do të ketë sukses, atëherë do të heqin dorë nga dëgjimi i tij.
“Jam munduar të kontaktoj me këtë dëshmitar për shqyrtimin e sotëm, por nuk kam pasur sukses dhe po ju lus që shqyrtimin e sotëm ta shtyjmë, ndërsa unë në një afat shumë të shkurte do t’i drejtohem gjykates nëse është e mundshme që me telefon ta kontaktoj këtë dëshmitar. Nëse nuk do të kem sukses, do të heqim dorë nga dëgjimi i këtij dëshmitari dhe për këtë shumë shpejt do ta njoftojmë gjykatën”, tha Vasiq.
Gjithashtu, Vasiq propozoi dëgjimin edhe të një dëshmitari tjetër, Asllan Visoqi, për të cilin ai tha se do të sigurojë numrin e telefonit si dhe adresën e tij.
Sipas avokatit, familja Visoqi kishte pasur mosmarrëveshje me familjen e Milosavleviqit, dhe para luftës, babai i Asllan Visoqit kishte shtënë tetë plumba në babain e klientit të tij, për çka edhe ishte dënuar.
Lidhur me këto, mbrojtësi potencoi se këto prova i janë dorëzuar prokurorisë, por që të njëjtit nuk ia kanë dorëzuar gjykatës, raporton Betimi për Drejtësi, raporton Gazeta Papirus.
Sa i përket propozimit për dëshmitarë, prokurori Ilir Morina nuk e kundërshtoi dëgjimin e tyre.
Ndërsa, lidhur me provat që mbrojtja i ka dorëzuar në prokurori – të cilat lidhen me dënimin e babait të Visoqit – prokurori Morina tha se këto prova nuk kanë të bëjnë me objektin e akuzës.
“Sa i përketë dokumenteve që i ka paraqitur, ne i kemi në shkresa e lëndës dhe besoj që i kemi dorëzuar në gjykatë. Fakti që nuk i kemi listu në aktakuzë nuk do të thotë që nuk janë pjesë e shkresave të lëndës. Nuk i konsiderojmë prova që kanë të bëjnë me objektin e aktakuzës ‘krime lufte kundër popullsisë civile’,” shtoi Morina.
Lidhur me këto propozime, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin aprovoi propozimet për dëgjimin e dëshmitarëve Bujupaj dhe Visoqi, si dhe vendosi që provat e dorëzuara të administrohen.
Pasi nuk kishte kushte për të vazhduar me seancën, e njëjta u ndërpre dhe do të vazhdojë në një datë tjetër.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2023, thuhet se Gavrilo Milosavlevq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzor ndaj të burgosurve civil shqiptarë.
Gjithnjë sipas aktakuzës në bashkëkryerje me njësit policore serbe Milosavleviq kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut të dalin 1 mijë të burgosur të vendi i quajtur “Fusha e Sportit”, me pretekstin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.
Tutje në aktakuzë thuhet se menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve ushtarakët serbë kishin gjuajtur në drejtim të të burgosurve me mitraloz, mortajë dhe armë të tjera dhe se ky operacion i vrasjes i cili kishte filluar nga 22 maj 1999 dhe kishte zgjatur deri më 24 maj 1999, ku si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të vrarë 109 të burgosur.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarak serbë kishin shkuar thuajse çdo ditë nëpër pavijonet e Burgut të Dubravës, konkretisht në pavionin “B” dhe “C”, duke i rrahur në mënyrë mizorë dhe çnjerëzorë të burgosurit civil shqiptare.
Në aktakuzë përmend se si disa roje kishin shkuar edhe në qelinë ku ishte i vendosur edhe Ukshin Hoti, Gani Baliu, Skender Gashi, Mehmet Memqaj, dhe Shkelqim Zllanoga ku të njëjtëve u kishin fikur dritat fillimisht dhe pastaj ju kishin drejtuar me fjalët Ukshin Hotit “ Profesor sherri juaj po na ndodhin bombardimet e NATO-s”, duke e ofenduar dhe sharë gjatë gjithë kohës, sa që në një moment thuhet se roje kishin kapur për fyti Shkelqim Zllanogën ku thuajse ja kishin ndalur frymëmarrje.
Për këto veprime i akuzuari Milosavleviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsi civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje ” LP i RSFJ-së “) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.