Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë, ku Albin Kurti kërkoi 500 mijë vota për të siguruar fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka ngritur kërkesën në prag të zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri. Rama po kërkon 1 milion vota.
Në një aktivitet me të rinjtë në Durrës, Rama ka kërkuar që PS të sigurojë 1 milionë vota, transmeton Gazeta Papirus.
Në këtë kuadër, ai ka kërkuar gjithashtu që në qytetin bregdetar, Durrës, PS të fitojë mandatin e nëntë, duke shkuar nga 8 deputetë që ka aktualisht.
Rama tha se ky është një qëllim i arritshëm për strukturat e PS-së, duke inkurajuar të rinjtë të mobilizohen dhe të sigurojnë votën e tyre.
“Llogarinë do e bëjnë shqiptarët më 11 maj, ashtu siç duhet. Ndaj ne duhet të synojmë jo 800 mijë, por 1 milion vota. Ai duhet të jetë limiti që ne duhet të synojmë. Duhet të dalim nga 11 maji me më shumë se 900 mijë vota. Është e lehtë ta thuash, por e vështirë ta bësh. Ne duhet të synojmë të marrim mandatin e nëntë të deputetit në Durrës. Vëni çmosh që bashkëmoshatarët tuaj të vijnë të votojnë dhe të marrin pasaportën. Realisht, nuk ia vlen të diskutojmë… nuk i kemi as përballë, i kemi mbrapa. Na gjurmojnë më britma dhe gërhima. Kam bindjen që ata maksimumi e mundshëm e morën në 2021 dhe nuk do arrijnë më shumë se ai rezultat. Ndërsa ne nuk e kemi marrë ende maksimumin. Uroj që siç ka ndodhur në të shkuarën, edhe në zgjedhjet që vijnë, Durrësi të jetë një shembull domethënës i fitores,” u shpreh Rama.