Kina ka njoftuar se do të redukojë në mënyrë të moderuar numrin e filmave amerikanë që shfaqen në kinematë e saj, si kundërpërgjigje ndaj tarifave të reja të vendosura nga Shtetet e Bashkuara.
Lajmi u bë i ditur sot nga Televizioni Qendror Kinez duke cituar burime zyrtare të autoritetit rregullator të industrisë së filmit në Pekin, transmeton Gazeta Papirus.
Zëdhënësi i këtij autoriteti deklaroi se vendimi i SHBA-së për të vendosur tarifa të reja ndaj mallrave kineze është “i paligjshëm” dhe se kjo do të ndikojë negativisht në perceptimin e filmave amerikanë nga audienca kineze.
Aktualisht, Kina operon me një sistem kuotash të rrepta për filmat e huaj, ku vetëm një numër i kufizuar i tyre lejohen të shfaqen çdo vit dhe duhet të kalojnë më parë filtrin e censurës shtetërore.
Kjo masë vjen në të njëjtën ditë kur kanë hyrë në fuqi tarifat hakmarrëse të Kinës prej 84% ndaj importeve nga SHBA, pas vendimit të Uashingtonit për të rritur tarifat e tij në 145% për mallrat kineze.
Presidenti Donald Trump, duke e justifikuar vendimin, akuzoi Kinën për një “mungesë respekti” ndaj rregullave të tregut global.
Ekspertët e tregtisë dhe të industrisë së filmit shprehen se kufizimi i filmave amerikanë mund të mos ketë ndikim të madh ekonomik për SHBA-në, por ai përbën një mesazh të qartë politik nga Pekini se lufta tregtare ka kaluar edhe në fushën e kulturës dhe ndikimit të butë. (A2 Televizion).