Moti i ligë ka befasuar qytetarët në ditët e para të muajit prill.
Reshje dëbore e temperatura të ulëta kanë bërë që nevoja për ngrohje të shtohet në ditët e fundit në Kosovë, transmeton Gazeta Papirus.
Megjithatë, qytetarët e Prishtinës në tre ditët e fundit u përballën me të ftohtin pa ngrohje nga ana e Termokos.
Qytetarët raportojnë se tash e tre ditë nuk kanë ngrohje pavarësisht temperaturave që u regjistruan edhe nën minus.
Lajmi.net ka provuar të kontaktojë me kompaninë Termokos, por pavarësisht pyetjeve të dërguara në emailin zyrtar të kompanisë, deri në momentin e publikimit të lajmit nuk është kthyer përgjigjje.
Nuk dihen ende aryset e ndërprerjes së ngrohjes nga Termokos dhe nëse kjo ka ndërlidhje me gjendjen e rënduar energjetike që po kalon Kosova.
Aktualisht blloku A1 i KEK-ut është jashtë funksionit duke bërë që të bie kapaciteti prodhues energjetik në Kosovë.
Kjo krizë energjetike ka çuar drejt shtrenjtimit të energjisë elektrike në vitet e fundit në Kosovë, teksa një rritje e tillë pritet të ndodhë sërish pas paralajmërimit të ZRrE për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 15%.
Vendimi pritet të mirret nesër, teksa qytetarët poashtu nesër kanë thirrur protestë për të kundërshtuar këtë vendim.