KEK ka dhënë informacione për gjendjen e Njësisë B2, duke bërë të ditur se sot në orët e para të mëngjesit është ndalur nga puna në këtë njësi të Termocentralit “Kosova B”, gjë e cila ka ndodhur për shkak të rrjedhjeve të konsiderueshme të ujit.
Nga KEK, është theksuar edhe se hera e fundit që diçka e tillë ka ndodhur në këtë njësi, ka qenë në dhjetor të vitit të kaluar.
Po ashtu, nga KEK është thënë se ndalja e tillë është e domosdoshme për të parandaluar ndonjë defekt me pasoja të mëdha.
”Në ndërkohë, KEK ka arritur të sigurojë rreth 5,000 MWh energji elektrike nga burime të jashtme, që përfaqëson afërsisht 90% të kapacitetit të planifikuar të prodhimit të njësisë B2”, thuhet në njoftim.
Postimi:
Njoftim për Ndaljen e Njësisë B2
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ju njofton se njësia B2 e Termocentralit “Kosova B” është ndalur nga puna në orët e para të mëngjesit të sotëm, me dt: 09.04.2025, për shkak të rjedhjeve të konsiderueshme të ujit.
Vlen të theksohet se hera e fundit kur kjo njësi ka pasur një rrjedhje të tillë ishte më 04.12.2024, dhe për të parandaluar ndonjë defekt me pasoja më të mëdha, ndalja e saj ka qenë e domosdoshme.
Ekipet tona të mirëmbajtjes dhe ekspertëve teknikë janë në gatishmëri të plotë për të filluar procesin e sanimit të gypave të dëmtuar. Bazuar në vlerësimet paraprake, pritet që ky proces të zgjasë rreth 48 orë.