Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas i ka dhënë lajme të mira Shqipërisë. Gjatë qëndrimit zyrtar në Tiranë, ajo ka thënë se viti 2030 është tejet realist për anëtarsim nëse Shqipëria ndërmerr reforma dhe i zbaton ato. Ndërkaq, për Kosovën ajo nuk ka folur as për anëtarësim e as për heqje sanksionesh. Sipas saj, “nuk ka përparim për Kosovën e Serbinë pa normalizim të plotë marrëdhëniesh”.
Viti 2030 mund të jetë cak realist për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian nëse ajo i bën ‘detyrat e shtëpisë’ me reforma e zbatim të tyre.
Kështu iu është përgjigjur gazetarëve Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, pas takimit të saj me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Në paraqitjen për medie, shefja e diplomacisë evropiane ka bërë me dije se në takimet e mbajtura në Tiranë është folur për gjendjen e sigurisë.
“Kemi folur për zhvillimet në rajon, dhe i vlerësoj këshillat dhe komentet e dhëna për gjendjen në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Kallas.
Ajo ka shprehur kënaqësinë e saj për takimet në Tiranë, duke theksuar se Shqipëria është partner i fuqishëm i Bashkimit Evropian.
“Ju jeni aleat i NATO-s dhe, siç e thashë, jeni plotësisht në përputhje me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së. Vendimi juaj për të zbatuar plotësisht sanksionet e BE-së kundër Rusisë, krahas mbështetjes suaj politike, ushtarake e humanitare për Ukrainën, dëshmon përkushtimin tuaj për vlerat tona të përbashkëta”, ka thënë Kallas.
E pyetur nga gazetarët nëse 2030-a është vit realist për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ajo është përgjigjur pozitivisht, duke shtuar se kjo varet nëse Shqipëria i ndërmerr hapat e duhur.
“Ajo duhet jo vetëm t’i miratojë reformat, por edhe t’i zbatojë ato. Sundimi i ligjit është tepër i rëndësishëm pasi shteti i së drejtës është një nga themelet e Bashkimit Evropian, por edhe begatisë së një vendi”, ka thënë Kallas.
Në rast se investuesit kanë besim te sistemi juaj ligjor, atëherë ata kanë besim që të investojnë në ekonominë tuaj. Kjo, pra, është edhe në të mirën e Shqipërisë. Është realiste nëse të gjithë bëjnë detyrat e shtëpisë.”
Shefja e politikës së jashtme ka komentuar shkurtazi edhe Kosovën, por jo edhe ndonjë prospekt të anëtarësimit të saj.
“Mendoj se ajo çfarë është më e rëndësishmja për Kosovën e Serbinë është se nuk mund të ketë përparim pa normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve”, ka thënë ajo.
Këso komenti të shkurtër kishte pasur edhe dje gjatë vizitës në Podgoricë. Teksa ishte pyetur për ngeciet në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, ajo paralajmëroi se Brukseli po analizon ‘gabimet’ në këtë proces.
Në përfundim të konferencës, e njëjta ka paralajmëruar gjatë ditës një vizitë në Bosnjë e Hercegovinë për t’i takuar të gjitha palët me qëllim të qetësimit të gjendjes atje.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, kryediplomatja evropiane ka takuar edhe presidentin Bajram Begaj, ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme, Igli Hasani, zëvendëskryeministren Belinda Balluku, si dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë.
Kjo vizitë vjen një ditë pas asaj në Podgoricë ku ishte takuar me presidentin e Malit të Zi Jakov Millatoviq, kryeministrin Millojko Spajiq si dhe përgaqësues të shoqërisë civile.