Gazeta Sinjali ditë më parë kishte raportuar për një incident që kishte ndodhur rreth një javë më parë në Istog, ku pasditen e 2 prillit një person ishte sulmuar fizikisht me kondak të armës, duke mbetur i lënduar rëndë. Sinjali mëson se viktima e këtij rasti është biznesmeni nga Istogu, Ylber Blakaj i njohur si ‘Dila’. Ai u sulmua brutalisht për motive akoma të panjohura.
Rasti kishte ndodhur në një lokal në Istog, ku ishte përdorur edhe arma e zjarrit, andaj rasti fillimisht ishte cilësuar si “Vrasje në tentativë”.
Mirëpo, pas hetimeve të mëtejshme, ngjarja ka marrë një tjetër drejtim, ku rasti është riklasifikuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Pjesëmarrje në rrahje”, dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për arrestimin e njërit prej të dyshuarve në lidhje me këtë rast, i cili u identifikua si Leotrim Musliu. Ai ra në prangat e Policisë më 4 prill.
Ai ishte intervistuar dhe me vendim të prokurorit ishte dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, Gazeta Sinjali sot raportoi edhe për arrestimin e një të dyshuari tjetër në lidhje me këtë rast.
Bëhet fjalë për 51-vjeçarin Luan Brahimi, i cili është prangosur dje, ndërsa pas intervistimit po ashtu është dërguar në mbajtje.
E pikërisht me prangosjen e Brahimit, ndryshoi edhe rrjedha e ngjarjes, duke u riklasifikuar inicimi i rastit.
Në lidhje me këtë ngjarje, është sekuestruar edhe arma që dyshohet se është përdorur gjatë incidentit.
Hetimet në lidhje me zbardhjen e detajeve të këtij rasti janë duke vazhduar.