Aplikacioni i publikimit të videove, “TikTok” ka bërë ndryshime të brendshme për të mbrojtur zgjedhjet presidenciale rumune që mbahen në muajin maj, transmeton Gazeta Papirus.
Lëvizja ka ardhur pasi Komisioni Evropian hapi një hetim ndaj platformës dhjetorin e kaluar, pas dyshimeve se ishte përdorur për të manipuluar raundin e parë të zgjedhjeve.
Lajmin për ndryshimet e ka bërë të ditur komisionerja e BE për Teknologjinë, Hena Virkunen, përpara ligjvënësve të Parlamentit Evropian.
“Sa u takon zgjedhjeve të ardhshme të muajit maj në Rumani, ne mirëpresim ndryshimet që “TikTok” ka bërë. Ato përfshijnë kontrollin dhe ndalimin e profileve politike, më shumë ekspertë të gjuhës rumune dhe 120 mbikëqyrës zgjedhore, që do të mbulojnë influencën e fshehtë gjatë fushatës dhe integritetin publicitar”, ka deklaruar Virkunen.
Raundi i parë i zgjedhjeve rumune, i mbajtur nëntorin e kaluar, u shpall i pavlefshëm pas të dhënave të mbledhura nga shërbimet e inteligjencës, që tregonin përfshirjen e influencës ruse tek votuesit përmes rrjetit social, për të mbështetur kandidatin nacionalist të panjohur, Călin Georgescu.
Për shkak të popullaritetit të Georgescut në “TikTok”, Komisioni nisi në dhjetor një hetim mbi rolin e platformës gjatë fushatës elektorale, për të kontrolluar nëse kishte shkelur Aktin e BE për Sigurinë Dixhitale të lidhur me integritetin zgjedhor. Rezultati i hetimit duhet ende të publikohet.
Më herët gjatë muajit autoritetet rumune i ndaluan Georgescut kandidimin për shkak të dështimit për të përmbushur kushtet e pjesëmarrjes në zgjedhje.