Kryetar i Lidhjes Demokratike e Kosovës(LDK), Lumir Abdixhiku, i ka reaguar ashpër kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti në lidhje me ftesën që ia ka bërë për konsulta para konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Abdixhiku ia ka përmendur Kurtit fyerjet që ia kishte bërë opozitës, duke i quajtur ”Hajvana” dhe terme tjera, që sipas kreut të LDK-së, nuk ka vend as për takime konsultative.
“Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim”, ka shkruar ai.
Abdixhiku ka thënë se besë do të ketë ndaj votueseve të LDK-së, sepse fjalët e thëna kanë peshë.
“Fjalët e thëna ndaj nesh kanë peshë. Dhe fjalët tona – ato që u kemi dhënë qytetarëve tanë, atyre që nuk joshen nga spektakli i përçarjes por që besojnë se shteti ndërtohet me respekt e dinjitet – kanë peshën e fjalës së dhënë. Peshën e besës.Besë do të ketë!”, ka shkruar Abdixhiku.