Policia e Ferizajt sot e ka realizuar një plan operativ të koduar “Mbrojtja e pyjeve”.
Me këtë rast, organet e rendit kanë ndaluar dhe konfiskuar katër automjete që transportonin drunj pa dokumentacion të rregullt.
“Aksioni u zhvillua pas informacioneve operative, ndërsa në bashkëpunim me Agjencionin e Pyjeve, drunjtë dhe automjetet u sekuestruan”, thuhet në njoftim.
Policia rajonale e Ferizajt vazhdon përpjekjet për parandalimin e prerjes dhe shitjes ilegale të drunjve, duke ftuar qytetarët të bashkëpunojnë përmes raportimit të rasteve në numrat emergjentë apo aplikacionin “Lajmëro Policinë”.