Gresa Caka-Nimani, ish-kryetare e Gjykatës Kushtetuese pas pranimit të mirënjohjes nga Koalicioni i organizatave joqeveritare i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), ka thënë se miratimi i Kushtetutës së Kosovës ka formësuar qëllimet kolektive dhe kuptimin e shërbimit publik.
Këtë deklarim, Caka-Nimani e bëri të martën gjatë shënimit të Ditës së Kushtetutës së Kosovës, organizim ky nga Koalicioni i organizatave joqeveritare i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), raporton “Betimi për Drejtësi“, trasnemton Gazeta Papirus.
“Vë në pah faktin se miratimi i Kushtetutës së Kosovës ka riformësuar gjithashtu qëllimet tona kolektive, dhe rrjedhimisht, edhe kuptimin e shërbimit publik. Tashmë kur qëllimet sublime të lirisë dhe pavarësisë ishin përmbushur – ka filluar cikli i ri i detyrës për kontribut kolektiv – detyra ndaj vlerave të demokracisë të mishëruara në Kushtetutë. Një cikël i ndërtimit gradual të një identiteti kolektiv, të ngirtur në premisën e patriotizmit kushtetues – një thirrje për t’u rreshtuar, mbi të gjitha, rreth parimeve dhe zotimeve që përcaktojnë vizionin tonë kushtetues”, tha ajo.
Caka-Nimani theksoi se Kushtetuta e Kosovës na kujton se mbi themelet e luftës mund të ngrihet një rend kushtetues i bazuar në paqe dhe demokraci.
“Një dokument jashtëzakonisht modern – që na kujton se mbi themelet e sakrificës, rezistencës dhe luftës, mund të ngrihet një rend kushtetues i ndërtuar mbi paqen dhe demokracinë. Një Kushtetutë e bazuar në standardet më të larta ndërkombëtare dhe që e shtyn Kosovën drejt statusit të barabartë në strukturat euroatlantike”, tha ajo.
Caka-Nimani tha se kjo Kushteutë transformon edhe qëllimin e të përçuarit të atdhedashurisë për secilin prej nesh drejt një forme të re patriotike, siç është ajo kushtetuese, dhe shërbimit ndaj saj. Tha se secili prej nesh e kemi detyrë t’i shërbejmë këtij qëllimi.
Shërbimi publik, sipas saj, sjellë rezultate të duhura dhe ka kuptim vetëm kur puna e secilit ngërthen pasion, besim dhe ideale të përbashkëta.
“Ka kuptim vetëm atëherë kur është i mveshur edhe me guximin për të vendosur të mirën e përbashkët publike mbi interesin personal, duke parë përtej horizontit individual drejt trashëgimisë dhe gjurmëve që të gjithë lëmë pas”, tha Caka-Nimani.
Ish-kryetarja e Kushtetueses tha se shërbimi publik ka kuptim kur kultivohet bindja se demokracia nuk është e dhënë, s’vjen nga lartë, por kultivohet përmes punës së përditshme.
“Shtetndërtimi dhe demokracia janë procese afatgjata që kërkojnë përkushtimin e secilit individ; qëndrueshmërinë për të mos humbur durimin kur rezultatet nuk janë të menjëhershme; përkushtimin për të ruajtur arritjet që tashmë i kemi; dhe besimin se – me punë, etikë dhe integritet – secili prej nesh, çdo ditë, vendos nga një shtyllë të vogël drejt përmbushjes së vlerave të mishëruara në rendin tonë kushtetues”, tha tutje ajo.
Ish-kryetarja e Kushtetueses tha se respekti që i është bërë sot, ia rritë peshën e përkushtimit për t’i shërbyer edhe më tutje këtij qëllimi.
Në fund të fjalimit të saj, Caka-Nimani tha se është e nderuar që pranoi këtë mirënjohje nga Koalicioni i organiztave joqeveritare, duke i quajtur shembull të aktivizmit.
“Ndërsa unë do ta festoj këtë datë me një mirënjohje shtesë – për Institutin e Kosovës për Drejtësi, Lëvizjen Fol dhe Iniciativën për Progres. Jam veçanërisht e nderuar ta pranoj këtë mirënjohje nga ju, që jeni shembull i aktivizmit, përkushtimit dhe kontributit për shtetin dhe shoqërinë”, tha ajo.
Ndryshe, Koalicioni i organizatave joqeveritare i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), të martën organizoi shënimin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në këtë ngjarje, u theksua rëndësia historike e Kushtetutës, të arriturat dhe sfidat e jetësimit të Kushtetutës në praktikë.