Njëri prej të dyshuarve për përfshirje në të shtënat me armë në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, Dukagjin Nikollaj, është arrestuar në Spanjë transmeton Gazeta Papirus.
Paparaci kishte raportuar më 5 gusht të vitit 2023 se Nikollaj i njohur me nofkën “Duka” dyshohej se ishte përfshirë në përleshjen në “Bon Vivant” ku mbeti i vrarë, Kastriot Ramadani.
Përpos përfshirjes në përleshjen e mbrëmshme në Prishtinë, “Duka” ka të kaluar kriminale edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është njëri prej shqiptarëve më të kërkuar nga FBI.
Ai ishte i kërkuar edhe nga FBI-ja për trafikim narkotikësh dhe për pesë vjet dyshohet se ka qenë i përfshirë në trafikimin e sasive të mëdha të marihuanës nga Kanadaja në New York.
Dukagjin Nikollaj, sipas Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), dyshohet të jetë i përfshirë në blerjen e sasive të mëdha të marihuanës nga Kanada dhe shpërndarjen e tyre në zonën e New Yorkut.
“Duka” thuhet të jetë pjesëtarë i organizatës kriminale “Krasniqi Organization”, të dyshuar për trafikim droge dhe vrasje.
Urdhër arresti për “Dukën” është lëshuar në maj të vitit 2010 nën akuzat për shpërndarje të lëndëve narkotike. Ai ka kontrolluar rrethin e drogës nga viti 2003 deri në vitin 2007.
Ndërkaq në natën e përleshjes në Prishtinë, “Duka” ishte i shoqëruar me Kastriot Ramadanin, që mbeti i vrarë si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Katër persona mbetën të plagosur mbrëmë si pasojë e plagëve të marra nga armët e zjarrit, ndërsa 17 tjerë u lënduan në vazhdimësi, 14 prej tyre femra.