Vizita historike e delegacionit të Kongresit të SHBA’së në Prishtinë në vitin kritik 1990, e cila udhëhiqej nga senatori Robert Joseph Dole (Bob Dole), kishte ndryshuar fatin e vendit tonë.
Kjo vizitë e cila ishte organizuar nga veprimtarët e komunitetit shqiptar në SHBA, u bë në kohën më të vështirë të represionit dhe terrorit shtetëror serb, në vitin 1990 ku senatori Dole kishte ardhur për të parë gjendjen nga afër.
Në Prishtinë ky delegacion u prit nga presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova dhe rrethi i tij, ku i informuan për situatën e rëndë politike që ekzistonte në Kosovë.
Kjo ishte vizita e parë e një delegacioni të nivelit më lartë të SHBA në Kosovë dhe vizita më shpresëdhënëse që shqiptarët ta vazhdojnë luftën për liri dhe pavarësi.
Në këtë delegacion të udhëhequr nga senatori Dole, merrnin pjesë dhe shtatë senatorë amerikanë, të cilët do t’i raportonin Senatit dhe Kongresit mbi situatën e përgjithshme në Kosovë.
Në përfundim të vizitës, Senatori Dole i tha serbit, Momcillo Trajkovic që t’ ua përcillte porosinë e tij udhëheqjes së Beogradit, se nuk do të lejohet më me abuzimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Kosovë.
Nga kjo vizitë historike, fati i Kosovës ndryshoi. Pas 9 vitesh nga kjo vizitë, Kosova u çlirua nga NATO dhe SHBA-ës, dhe pas 18 vitesh Kosova u shpall shtet i pavarur dhe demokratik.
Ndryshe, ish-senatori Bob Dole, ka vdekur sot në moshën 98 vjeçare.
Dole vdiq në gjumë, sipas një njoftimi nga Fondacioni Elizabeth Dole, shkruan USA Today.
Për të gjitha arritjet e tij, Dole donte të mbahej mend për shërbimin e tij – veçanërisht si një ushtar që humbi përdorimin e krahut të djathtë në fushën e betejës në Itali. “Veterani që dha maksimumin për vendin e tij”, përshkroi Dole se si donte të kujtohej, gjatë një interviste në maj 2013 në Fox News.