Papa Françesku e ka përshkruar neglizhencën e Evropës ndaj migrantëve si “përmbytje të qytetërimit”, teksa ka folur para azilkërkuesve që gjenden në ishullin grek, Lesbos.
Gjatë vizitës në kampin Mavrovouni më 5 dhjetor, Ati i Shenjtë tha se disa në Evropë “ngulmojnë ta trajtojnë problemin (e migrantëve) si një çështje që nuk iu takon atyre”.
Kjo sjellje, sipas Papës, “dënon me vdekje” të gjithë ata që gjendet në këtë situatë.
Kampi që vizitoi Papa ka 2,300 azilkërkues nga Afganistani, Siria, Iraku dhe shtetet e tjera dhe është epiqendra e një vale të migrantëve, të cilët në vitet e fundit po tentojnë të hyjnë në Evropë.
Papa për herë të fundit kishte vizituar Lesbosin më 2016, kur ky ishull ishte pika kyçe e hyrjes në Evropë të mbi 1 milion personave që kishin ikur nga luftërat në Siri dhe Irak. Ai tha se që atëherë, “pak ka ndryshuar sa i përket çështjes së migrimit”.
Papa Françesku ka zhvilluar një vizitë pesëditore në Qipro dhe Greqi dhe vizita e tij është dominuar nga çështja e migrantëve.
Çështja e migrantëve së fundmi ka rritur tensionet mes Bashkimit Evropian dhe Bjellorusisë.
BE-ja e akuzon liderin autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka se po përdorë migrantët si pjesë e “luftës së tij hibride”, për t’iu kundërpërgjigjur sanksioneve që blloku evropian ka vendosur ndaj Minskut për shkak të shtypjes së protestave ndaj Lukashenkas, pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale të vitit 2020./REL