Siguria publike po cenohet nga vjedhjet e grabitjet, raste këto që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Kështu ndodhi së fundmi në një fabrikë metali në fshatin Prelez – Ferizaj, ku persona të panjohur kanë depërtuar me forcë dhe kanë vjedhur materiale bakri nga transformatori ekologjik, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, bashkëpronari i fabrikës ET-COM, ka raportuar se pasi ka shkuar në fabrikë në mëngjes, ka vërejtur se fabrika ishte cak i hajnave.
Të dyshuarit kanë hyrë në repartin e fabrikës duke thyer derën e pasme dhe më pas kanë hapur me forcë dyert e transformatorit ekologjik, nga i cili kanë vjedhur materialin e bakrit.
Sipas informacioneve të para, vlera e përgjithshme e transformatorit të dëmtuar llogaritet rreth 100,000 euro, ndërsa shuma e saktë e materialit të bakrit të vjedhur mbetet e panjohur.
Njësitë përkatëse policore kanë dalë në vendngjarje dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Me vendim të prokurorit, është iniciuar hetimi dhe është urdhëruar marrja e të gjitha veprimeve hetimore.