Dhomat e Specializuara të Hagës nuk kanë dhënë informacione nëse do ta lejojnë ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, ta vizitojë familjen e tij, pas varrimit të babait të tij.
Zëdhënësja e gjykatës, Angela Griep, tha për Klankosova.tv se fillimisht kërkesat janë gjithmonë konfidenciale, që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale.
“Pas përfundimit të një vizite humanitare, gjyqtarët zakonisht i riklasifikojnë këto dokumente në mënyrë që publiku të mund të informohet më në detaje. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndërsa vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjyqtarët, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo mund të marrë pak kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë”, theksoi ajo.
Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi, u varros të marten në fshatin e lindjes, Burojë e Skenderajt.
Ai vdiq të dielen në moshën 87 vjeçare, pas një sëmundje të rëndë.
Haxhi Thaçi, një kohë ishte i shtrirë në spital për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Ish-presidenti arriti ta takonte babain disa ditë para se ky i fundit të i mbyllte sytë.
Ai e vizitoi prindin e tij më 13 mars në spital, pasi Haga ia kishte miratuar vizitën në Kosovë.