Vetëm dy javë pas një samiti të Bashkimit Evropian ku udhëheqësit e bllokut u zotuan t’i shpenzojnë miliarda në mbrojtje në “një moment të rëndësishëm për Evropën”, ata po kthehen në Bruksel për një takim tjetër më 20-21 mars.
Këtë herë, udhëheqësit e BE-së synojnë t’i konsolidojnë planet për forcimin e autonomisë së mbrojtjes të Evropës në mes të dyshimeve lidhur me angazhimin amerikan për t’i mbrojtur shtetet evropiane dhe për ta vazhduar mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
Në prag të samitit, ministrat e Jashtëm të bllokut diskutuan më 17 mars për propozimin e fundit nga shefja e diplomacisë të BE-së, Kaja Kallas, për të gjetur para për Kievin. Dhe më 19 mars, Komisioni Evropian ishte paraparë që të publikonte një plan veprimi për të ardhmen e mbrojtjes evropiane.
Dokumenti pritet të dalë me ide se si të krijohet plani për Riarmatosjen e Evropës, të paraqitur nga Komisioni Evropian, përmes të cilit krahu ekzekutiv i BE-së do të gjenerojë deri në 800 miliardë euro për shpenzime të mbrojtjes gjatë katër vjetëve të ardhshëm.
Si gjithmonë, në Bruksel ka dyshime lidhur me atë se sa e besueshme është e gjithë kjo. Diplomatët me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë janë pajtuar se ky është një hap i parë i mirë, por një zyrtar i lartë i BE-së i tha REL-it se “djalli fshihet gjithmonë në detaje dhe këtu ka shumë djaj”.
Duke e shikuar më nga afër, duket se shifra prej 800 miliardë eurosh është shumë ambicioze, e përcjellë me pasiguri të mëdha: nëse – dhe sa shpejt – ky propozim mund të përkthehet në armë dhe municion të rinj; dhe nëse ndonjë prej atyre armëve do të shkonte në Ukrainë.
Faktet janë të qarta. Komisionari i BE-së për mbrojtje, Andrius Kubilius, theksoi në Parlamentin Evropian javën e kaluar se Evropa aktualisht ka një mungesë në mbrojtje prej të paktën 500 miliardë eurosh dhe po ashtu i mungojnë “mijëra tanke dhe autoblinda”.
Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, po ashtu duke folur në PE tha se mesatarisht shtetet e BE-së kontribuojmë pak më pak se 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm për mbrojtje. Uashingtoni po kërkon që kjo të arrijë në 5 për qind, ndërsa NATO-ja, sipas burimeve brenda aleancës, po eksperimenton me idenë që objektivi zyrtar i shpenzimeve të bëhet 3.7 për qind. Kjo pritet të thuhet në samitin e ardhshëm të NATO-s që do të mbahet në Hagë gjatë muajit qershor.
Megjithatë, edhe nëse ka një rritje të madhe dhe të shpejtë të shpenzimeve për mbrojtjen, diplomatët evropianë thonë privatisht se do të duhet një dekadë që Evropa të kryejë ndonjë operacion të madh ushtarak pa ndihmën e SHBA-së. Në Evropë për momentin inteligjenca, vëzhgimi dhe kërkimi ofrohen nga SHBA-ja.
Riarmatosja e Evropës?
Plani Riarmatosja e Evropës synon të adresojë varësinë e BE-së ndaj SHBA-së, duke bërë që shtetet e BE-së të rrisin buxhetet e tyre për mbrojtjen. Por, a do ta bëjnë shtetet këtë? Nga 800 miliardë eurot që Von der Leyen po synon të gjenerojë, 650 miliardë euro mund të mblidhen duke lehtësuar rregullat e shpenzimeve në mbrojtje për shtetet anëtare të BE-së gjatë katër vjetëve të ardhshëm. Ky propozim do t’i lejonte çdo shteti anëtar që të alokojë një shtesë prej 1.5 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm për shpenzime ushtarake. Edhe pse kjo hapësirë shtesë fiskale është mirëpritur, pak veta besojnë se kryeqytetet evropiane do ta shfrytëzojnë.
Të 150 miliardë eurot e mbetura janë skemë e huadhënies e siguruar nga fondet e pashfrytëzuara të buxhetit të BE-së, të cilat mund të përdoren nga 20 vende të bllokut që nuk kanë vlerësime të kredisë të llojit AAA. Këto hua synojnë të financojnë blerjet nga prodhuesit evropianë të mbrojtjes, megjithatë mbetet e paqartë nëse të gjithë komponentët e pajisjeve duhet të jenë nga vendet e BE-së ose mund të jenë nga shtete joanëtare sikurse Norvegjia, Zvicra dhe Turqia.
Problemi këtu qëndron në atë se kjo mbetet ende një hua dhe shumë nga vendet, veçanërisht ato në Evropën Jugore, që duhet të rrisin shpenzimet për mbrojtjen, janë tashmë të zhytura në borxhe.
Gjithashtu, disa shtete të Evropës Veriore po vënë në pikëpyetje logjikën e këtij propozimin, me Parlamentin holandez që së voni miratoi një rezolutë jodetyruese për të refuzuar planin për Riarmatosjen e Evropës, duke argumentuar se ai vetëm sa e zhyt më shumë në borxh bllokun evropian.
Pastaj është edhe pjesa e tretë e propozimit të Von der Leyenit, që do t’u lejonte shteteve anëtare të përdorin për mbrojtje mbi 300 miliardë euro fonde të mbetura në buxhetin e BE-së, që normalisht do të shkonin në rajonet më të varfra të bllokut për investime në infrastrukturë. Problemi, këtu, përsëri është se kjo është vullnetare. Kjo do të thotë që, megjithëse nuk mund të bllokohet nga vendet miqësore sikurse Hungaria dhe Sllovakia, pasi nuk kërkon unanimitet, disa shtete nuk do të çajnë kokën, përveç nëse detyrohen.
Gjermania
Pastaj është Gjermania. Kancelari në ardhje, Friedrich Merz, ka premtuar shpenzime të mëdha në mbrojtje. Më 18 mars, ligjvënësit gjermanë votuan për rritje të madhe për shpenzime të mbrojtjes. Ligji i miratuar në Budenstag parasheh lejimin që shpenzimet e mbrojtjes të kalojnë rregullat strikte të borxhit në Gjermani, për të krijuar një fond prej 500 miliardë eurosh për infrastrukturën e mbrojtjes.
“Ky hap që po marrim sot për gatishmërinë e mbrojtjes… është vetëm hapi i parë i madh drejt komunitetit të ri të mbrojtjes evropiane”, tha Merz.
Të premten, ligji do të kalojë në dhomën e lartë të parlamentit për miratim.
Von der Leyen e cilësoi si “lajm të shkëlqyeshëm” vendimin e ligjvënësve gjermanë për të mundësuar shpenzime më të mëdha në mbrojtje.
“Dërgon një mesazh të qartë për Evropën se Gjermania është e vendosur të investojë në mënyrë masive në mbrojtje”, tha ajo.
Deri më tani, ligjet përcaktonin se limiti i deficitit buxhetor prej 0.35 për qind të Bruto Prodhimit Vendor nuk mund të kalohej, përveç në raste emergjente.
Kjo lëvizje e Gjermanisë potencialisht mund të rikthejë thirrjet nga shtetet në jug të Evropës drejtuar Brukselit që të lëshojë eurobonde (obligacione) për investime në mbrojtje. E njëjta gjë kishte ndodhur për të luftuar recensionin që mbërtheu kontinentin pas pandemisë së koronavirusit. Lëshimi i eurobondeve të përbashkëta kundërshtohet nga shumica e vendeve në veri të Evropës, veçmas në Holandë dhe Gjermani – por me Berlinin që e tregon qartë se shpenzimi për mbrojtje është një detyrim – propozimi mund të kalojë.